NGA FATMIR POPJA
ELBASAN ,11 qershor 2026/Albania Express News/Këtë mesjavë gjatë një ceremoni të mbushur me respekt dhe mirënjohje për një jetë të tërë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka vlerësuar me “Çertifikatën e Karrierës ” punonjësin e Policisë Rrugore, Inspektor Mustafa Hidri, i cili mbylli me nder karrierën e tij pas plot 40 vitesh e 6 muajsh shërbimi në radhët e Policisë së Shtetit.
Ceremonia e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan manifestoi jo vetëm një vlerësim dinjitoz institucional, por edhe një akt mirënjohjeje për një figurë të nderuar të policisë shqiptare që për më shumë se katër dekada, ka mishëruar vlerat më të mira të uniformës blu ,ndershmërinë, profesionalizmin, disiplinën, përkushtimin dhe respektin ndaj ligjit.
Në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtori i DVP Elbasan, Drejtues Fatmir Hoxha, i dorëzoi Inspektor Mustafa Hidrit ,”Çertifikatën e Karrierës” me motivacionin:
“Për kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në radhët e Policisë së Shtetit.”
Por pas këtij motivacioni të shkurtër fshihet një histori e gjatë shërbimi, sakrifice dhe përgjegjësie, e ndërtuar ditë pas dite, në çdo mision dhe në çdo detyrë të besuar.
Gjatë 40 viteve e 6 muajve në strukturat e Policisë së Shtetit, Inspektor Mustafa Hidri është dalluar vazhdimisht për profesionalizmin e tij të lartë, korrektësinë në zbatimin e detyrës, integritetin moral dhe etikën e admirueshme në komunikimin me qytetarët dhe kolegët. Ai ka qenë një nga ata efektivë që e kanë konsideruar uniformën jo thjesht një profesion, por një përgjegjësi dhe një mision në shërbim të komunitetit.
Kontributi i tij nuk matet vetëm me vitet e gjata të punës, por edhe me shembullin që ka lënë pas për brezat e rinj të punonjësve të Policisë. Me qetësi, përulësi dhe vendosmëri, ai ka ndërtuar një profil profesional që frymëzon respekt dhe besim, duke dëshmuar se integriteti dhe përkushtimi mbeten shtyllat më të forta të shërbimit publik.
Në një profesion që shpesh kërkon sakrifica personale dhe familjare, orë të gjata pune dhe përballje të vazhdueshme me përgjegjësi të mëdha, Inspektor Mustafa Hidri ka ruajtur dinjitetin dhe qytetarinë, duke fituar vlerësimin jo vetëm të drejtuesve dhe kolegëve, por edhe të shumë qytetarëve që kanë pasur rastin të njohin punën dhe korrektësinë e tij.
Gjatë ceremonisë, vetë Inspektor Mustafa Hidri shprehu falënderimet e tij për drejtuesit e Policisë së Shtetit për vlerësimin e akorduar dhe përcolli urimet më të mira për kolegët, duke u dëshiruar suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të tyre në shërbim të rendit, sigurisë dhe ligjit.
Ky vlerësim përbën një dëshmi se institucionet nuk nderojnë vetëm rezultatet, por edhe karakterin, ndershmërinë dhe përkushtimin e njerëzve që për dekada mbajnë mbi supe përgjegjësinë e sigurisë publike.
Albania Express News shpreh mirënjohjen dhe respektin më të sinqertë për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe dinjitoze me gazetarët dhe punonjësit e medias .Inspektorit Mustafa Hidri, i urojmë pensionin e merituar me shëndet të plotë e jetë të gjatë . Karriera e tij mbetet një model frymëzues i profesionalizmit, qytetarisë, sakrificës dhe dinjitetit në shërbim të Policisë së Shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë.

