Rama: Sazani pronë e Shqipërisë, po negociojmë prej 2 vitesh për marrëveshje investimi të përbashkët

TIRANË, 9 qershor 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ishulli i Sazanit iu përket shqiptarëve dhe do të vazhdojë të jetë pasuri e Republikës së Shqipërisë”.

Në konferencën për shtyp me gazetarë nga vende të Bashkimit Europian, Rama theksoi se ishulli i Sazanit është tokë publike nuk ka pronarë, është shteti pronar.

“Nuk ka ende një marrëveshje sepse ishulli i Sazanit nuk ka nevojë për një projekt pikë së pari ka nevojë për një marrëveshje. Nuk mund të bëjnë një projekt nëse nuk kanë një marrëveshje mbi tokën. Nuk kemi as marrëveshjen për ishullin e Sazanit sepse po negociojmë që prej dy vitesh. Pse? Sepse nuk po e shesim ishullin dhe që të jemi të drejtë me ta as nuk kanë kërkuar që ta blejnë ishullin, kurrë nuk kanë kërkuar ta blejnë ishullin”, tha Rama duke shtuar se kjo është e vërteta.

Edhe po të kërkonin, theksoi Kryeministri, ne kurrë nuk na ka shkuar ndonjëherë nëpër mend alternativa për të shitur ishullin e Sazanit.

Kreu i qeverisë tha se “marrëveshja ka të bëjë me sipërmarrjen e përbashkët midis investuesit dhe Republikës së Shqipërisë, një sipërmarrje e përbashkët”.

“Sigurisht aty ku do të ndërtohet do të ketë pronësi të objektit. Si për shembull ata që janë përballë këtu janë pronarë të apartamenteve, por jo të bulevardit, e njëjta logjikë vlen. Po negociojmë, e kuptoni pse jam i dëshpëruar, i frustruar deri në kockë sepse shikon gjithë këto foto, ishulli i Sazanit i ndërtuar me kulla, këtej thuhet turp t’i vijë Edi Ramës e qeverisë, kjo është çmenduri”, tha Rama.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se është krejt e kundërta.

“Po negociojmë. Koorporata Shqiptare e Investimeve është ajo që do të bëjë negociata për të patur pjesë në pronësinë e investimit, shteti shqiptar do të fitojë prej kësaj. Për ishullin nuk kanë ende asnjë skicë të paraqitur se ju duhet pikë së pari një marrëveshje”, tha Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME