SHKODËR, 8 qershor 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Shkodra se Partia Socialiste ka të gjitha arsyet për të ngjitur Shqipërinë në atë majën që si u shpreh ai “na e kanë lënë amanet rilindasit tanë dhe që ua kemi borxh fëmijëve tanë, në Bashkimin Evropian”.
Në takimin e organizuar në kalanë e Rozafës në Shkodër me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, kryeministri Rama tha se “jemi më të fortë se asnjëherë tjetër”.
“Tani do na hidhen në fyt flamingot dhe do na thonë që administrata është mbledhur me zor, por unë ju falënderoj shumë për këtë ngjitje që ka qenë jo e lehtë”, u tha ai të pranishmëve.
Rama tha se “kjo skenë dhe ky shesh është zgjedhur për bukurinë e vet të jashtëzakonshme dhe hijen e magjishme që ka, gjithsesi më duket sikur sot pikërisht ky takim na lidh në të sotmen me atë që është edhe legjenda e kësaj kalaje”.
“Legjenda e atyre që përpiqeshin të ndërtonin ditën dhe e atij që prishte natën. Ishin vëllezër dhe ajo legjendë në fakt ka reflektuar në vazhdimësi në jetën shqiptare shekuj pas shekuj, ka reflektuar edhe në letrat e shkruara nga mendje të mëdha të kombit tonë, që nga Gjergj Fishta tek Faik Konica, etj, të cilët e kanë pasur të pamundur mos ta lënë edhe me shkrim që halli më i madh shqiptarit i vjen nga shqiptari”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “nga ana tjetër lajmi i mirë për ne është që shumica e shqiptarëve është shumë e qartë dhe shumë e vendosur për të çuar deri në fund këtë mision historik që fati e ka dashur që të vijë në dorën tonë dhe nderi ynë është që ta çojmë deri në fund”.
Kryeministri Rama u shpreh se “ajo shumicë nuk është e lumtur me çfarë bëhet dhe çdo gjë që bëhet, nuk është se është e kënaqur me gjithçka që në jetën e përditshme ndesh, nuk është se nuk i shikon boshllëqet ende të dukshme të prapambetjes së madhe nga e cila ne po dalim hap pas hapi. Nuk është se nuk i sheh dhe nuk i ndjen pengesat që ndesh, nuk është se nuk i sheh të gjitha ato probleme që kujtojnë se i shohin më mirë ata të cilët prej vitesh tanimë kërkojnë që ta në vënë stërkëmbësha dhe në çdo stërkëmbësh ëndërrojnë se ai është stërkëmbëshi vendimtar ku ne më në fund do të rrëzohemi”.

