NGA FATMIR POPJA
TIRANË,31 maj 2026/Albania Express News/Kombëtarja shqiptare vazhdon të pasurohet me elementë cilësorë nga futbolli europian dhe afrimi më i ri që ka ngjallur entuziazëm te tifozët kuqezi është ai i Luis Hasës. Mesfushori 22-vjeçar, që konsiderohet një nga talentet më premtues të brezit të tij, ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke mbyllur përfundimisht kapitullin e tij me përfaqësueset e Italisë.
Federata Shqiptare e Futbollit e zyrtarizoi afrimin e Hasës përmes një videoje speciale të publikuar në rrjetet sociale, ku lojtari shfaqet me fanellën kuqezi. “Mirë se erdhe Luis Hasa”, ishte mesazhi i FSHF-së, një postim që u prit me shumë interes nga tifozët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dhe që ka bërë jashtëzakonisht krenarë Peqinin që është origjina e tij .
Ky është një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi bëhet fjalë për një futbollist që ka kaluar në një nga akademitë më prestigjioze të Europës dhe që shihet si një investim afatgjatë për të ardhmen e Kombëtares.
I lindur në Itali më 6 janar 2004, por me origjinë shqiptare nga Peqini, Luis Hasa është produkt i akademisë së Juventusit, ku kaloi vitet më të rëndësishme të formimit të tij si futbollist. Që në moshë të re ai konsiderohej një nga lojtarët më interesantë të brezit të tij falë teknikës, inteligjencës taktike dhe aftësisë për të krijuar lojë në mesfushë.
Pas largimit nga Juventusi në verën e vitit 2024, Hasa u transferua te Lecce, por paraqitjet e tij bindën shpejt një nga klubet më të mëdha të Italisë. Napoli vendosi të investojë rreth 500 mijë euro për kartonin e tij, duke i ofruar një kontratë afatgjatë deri në verën e vitit 2029. Një sinjal i qartë se kampionët e Italisë besojnë shumë te potenciali i tij dhe e shohin si një futbollist me perspektivë të madhe për të ardhmen.
Gjatë sezonit të fundit, Hasa u aktivizua në huazim te Carrarese në Serie B, ku tregoi cilësitë e tij në një kampionat mjaft konkurrues. Në 31 ndeshje të zhvilluara ai realizoi pesë gola dhe dhuroi katër asistime, statistika që dëshmojnë ndikimin e tij në fazën sulmuese dhe aftësinë për të qenë vendimtar për skuadrën.
Mesfushori shqiptar shquhet për fleksibilitetin e tij në fushë. Pozicioni natyral është ai i mesfushorit të qendrës, por ai mund të luajë me sukses edhe si mesfushor sulmues apo në krahun e majtë të repartit ofensiv. Kjo e bën një armë të vlefshme për trajnerin e ri të Kombëtares, Rolando Maran, i cili kërkon t’i japë ekipit më shumë kreativitet dhe cilësi në ndërtimin e lojës.
Historia e Hasës me ekipet përfaqësuese është mjaft interesante. Ai ka qenë pjesë e Shqipërisë U-15, edhe pse nuk u aktivizua në ndeshje zyrtare. Më pas zgjodhi të vazhdonte rrugëtimin me Italinë, duke kaluar në të gjitha grupmoshat e “Axurrëve”. Kulmi erdhi me përfaqësuesen U-19 të Italisë, ku ai fitoi Kampionatin Europian dhe ishte një nga protagonistët kryesorë të suksesit. Gjithashtu, ai regjistroi edhe tre paraqitje me Italinë U-21, duke qenë pranë një karriere të plotë me përfaqësuesen italiane.

Megjithatë, zemra dhe rrënjët shqiptare duket se kanë peshuar më shumë. Hasa ka vendosur të veshë fanellën kuqezi dhe të kontribuojë për vendin e origjinës së familjes së tij, një vendim që është pritur me entuziazëm nga opinioni sportiv shqiptar.
Për Shqipërinë, afrimi i Luis Hasës përfaqëson më shumë se një transferim të zakonshëm. Ai është një futbollist modern, i formuar në shkollën italiane, me eksperiencë ndërkombëtare dhe me potencial për t’u kthyer në një nga liderët e mesfushës kuqezi në vitet e ardhshme. Nëse vazhdon ritmin e zhvillimit që ka treguar deri tani, ai mund të shndërrohet në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares në eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Europian 2028 dhe më tej.
Shqipëria fiton kështu një tjetër talent me vlera të mëdha, ndërsa Luis Hasa nis një kapitull të ri në karrierën e tij, me synimin për të shkruar histori me fanellën kuqezi dhe për të justifikuar pritshmëritë e mëdha që e shoqërojnë. Në moshën 22-vjeçare, e ardhmja duket e ndritur si për mesfushorin me origjinë nga Peqini, ashtu edhe për Kombëtaren shqiptare që po ndërton brezin e saj të ri.

