TIRANË, 30 maj 2026/Albania Express News/ Kroçiera luksoze “Le Boréal”, një nga anijet turistike që operon në segmentin e turizmit elitar, mbërriti sot në portin e Sarandës, duke shënuar vizitën e saj të parë në qytetin bregdetar.
Anija, 142 metra e gjatë dhe nën pronësi franceze, solli në Sarandë rreth 200 turistë, ku pjesa dërrmuese, rreth 180 vizitorë, janë shtetas francezë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit në qytet, turistët do të kenë mundësinë të vizitojnë atraksionet turistike, historike dhe kulturore të Sarandës dhe zonave përreth, duke u njohur nga afër me destinacionet më të rëndësishme të jugut të vendit.
Mbërritja e kroçierës “Le Boréal” konsiderohet një moment i rëndësishëm për turizmin lokal, pasi sjell në Shqipëri një kategori turistësh me standarde të larta udhëtimi dhe interes për turizmin kulturor e të qëndrueshëm.
Sipas programit të lundrimit, kroçiera “Le Boréal” do të rikthehet sërish në Portin e Sarandës më 23 qershor të këtij viti, duke konfirmuar interesin në rritje të operatorëve ndërkombëtarë të kroçierave për këtë destinacion turistik.

