PEQIN,23 maj 2026/Albania Express News/Një tjetër rast i posedimit të sendeve të ndaluara është goditur në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, gjatë një operacioni të gjerë kontrolli të zhvilluar nga strukturat e sigurisë penitenciare dhe forcat operacionale.
Sipas informacioneve paraprake, strukturat e IEVP Peqin, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ndërmorën një aksion të koordinuar në kuadër të forcimit të masave të sigurisë dhe parandalimit të futjes apo përdorimit të sendeve të palejuara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Në operacion morën pjesë Forcat Operacionale të DPB-së, si edhe efektivë të sigurisë nga IEVP Peqin, IEVP Fier dhe IEVP Durrës, të cilët ushtruan kontrolle të imtësishme në ambientet e brendshme të burgut.
Gjatë kontrollit, autoritetet konstatuan dhe sekuestruan një sasi të konsiderueshme sendesh të ndaluara, përfshirë pije alkoolike, telefona celularë dhe pajisje elektronike.
Më konkretisht, të dënuarit të sigurisë së lartë me inicialet G.B. iu gjetën:
• 1 shishe me raki rreth 2 litra,
• 2 shishe uiski me kapacitet total 1.5 litra,
• 1 shishe verë 1.5 litra,
• si dhe 2 karikues telefoni.
Ndërkohë, gjatë kontrollit ndaj të dënuarit Prel Vucaj, u sekuestruan:
• 1 telefon celular i tipit iPhone me ngjyrë të zezë,
• 1 karikues telefoni,
• 2 fisha karikimi,
• dhe 1 palë kufje wireless.
Po ashtu, tek i dënuari Lulëzim Demiraj. u gjetën:
• 2 telefona celularë, konkretisht një Google Pixel me ngjyrë të zezë dhe një Samsung me ngjyrë gri,
• 1 karikues ngjyrë e bardhë,
• si dhe 3 shishe me raki me kapacitet rreth 2 litra.
Burime zyrtare pranë sistemit penitenciar bëjnë me dije se kontrollet janë pjesë e një plani masash të shtuar për rritjen e sigurisë në burgje, pas sinjaleve të përsëritura për futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara brenda qelive.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar pranë Agjencisë përkatëse për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky operacion rikthen në vëmendje problematikën e sigurisë në institucionet penitenciare shqiptare, ku herë pas here zbulohen telefona celularë, alkool dhe sende të tjera të palejuara, pavarësisht masave të shtuara të kontrollit.


