Astana vlerëson Dinamo City , Babajan: Na pret një ndeshje e vështirë, por nuk kërkojmë alibi

ELBASAN ,8 korrik 2026/Albania Express News/-Një ditë para sfidës së parë ndaj Dinamo City , e vlefshme për raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League, në konferencën zyrtare për shtyp dolën trajneri i Astanës, Grigori Babajan, dhe mbrojtësi i majtë Jan Vorogovski. Të dy u shprehën optimistë për një rezultat pozitiv, ndërsa vlerësuan kundërshtarin shqiptar dhe theksuan se skuadra kazake është përgatitur maksimalisht për këtë përballje.

Trajneri Grigori Babajan pranoi se udhëtimi drejt Shqipërisë ka qenë tepër i gjatë, plot 18 orë me avion, por theksoi se kjo nuk do të shërbejë si justifikim për paraqitjen e ekipit të tij. Ai kujtoi edhe përballjen e mëparshme të Astanës në Shqipëri ndaj Partizanit, ndërsa vlerësoi Dinamon City dhe trajnerin Ilir Daja për cilësitë që kanë treguar në futbollin shqiptar dhe në arenën ndërkombëtare.

“Para disa vitesh kemi luajtur në këtë stadium ndaj Partizanit. Tani do të përballemi me Dinamo City , një tjetër skuadër e rëndësishme shqiptare. E njoh personalisht trajnerin Ilir Daja që nga koha kur drejtonte Ballkanin. Dinamo City luan mirë me topin dhe na pret një ndeshje e vështirë. Jemi përgatitur mirë dhe do të japim maksimumin. Udhëtimi ishte shumë i gjatë, rreth 18 orë, por kjo nuk do të jetë arsye për të mos dhënë më të mirën në fushë”, deklaroi Babajan.

Edhe mbrojtësi Jan Vorogovski theksoi rëndësinë e kësaj sfide, duke nënvizuar se Astana nuk përfaqëson vetëm klubin, por edhe futbollin e Kazakistanit në garat europiane.

“Kemi ardhur pas një udhëtimi të gjatë dhe do të përballemi me një skuadër që ka eksperiencë në futbollin shqiptar. Çdo problem e kemi lënë pas krahëve. Ne përfaqësojmë jo vetëm Astanën, por të gjithë Kazakistanin, ndaj do të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Do të hyjmë në fushë me përkushtim maksimal”, u shpreh Vorogovski.

Sfida mes Dinamo City dhe Astanës do të zhvillohet mbrëmjen e së enjtes, në orën 21:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, ku të dyja skuadrat do të synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në turin e ardhshëm të UEFA Conference League.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rekord i frikshëm në Spanjë, temperatura në Barcelonë arrin nivelin më të lartë në histori

SPANJË 8 korrik 2026/Albania Express News/-Barcelona ka shënuar një...

Punimet në aksin Elbasan–Rrogozhinë drejt fundit, realizimi i projektit arrin në 87%

ELBASAN ,8 korrik 2026/Albania Express News/-Ministri i Infrastrukturës dhe...