MOLDAVI ,8 korrik 2026/Albania Express News/-Egnatia ka marrë një barazim 1-1 në transfertë ndaj Petrokubit, në ndeshjen e parë të raundit të parë eliminator të Champions League. Kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë kualifikimin në sfidën e kthimit, e cila do të zhvillohet në Rrogozhinë.
Sfida në stadiumin “Zimbru” nisi në mënyrën më të keqe për skuadrën rrogozhinase. Vetëm pas pak sekondash lojë, një gabim në mbrojtje i dha mundësinë Popeskut të përfitonte nga një pasim i gabuar i Aleksit drejt portierit Dajsinani, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke kaluar Petrokubin në avantazh.
Egnatia reagoi pas golit të pësuar dhe nisi të kërkonte barazimin. Pas disa tentativave, skuadra shqiptare gjeti golin në minutën e 35-të. Një kombinim mes Haimes dhe Kryeziut u finalizua nga ky i fundit, i cili me një goditje të saktë vendosi baraspeshën në 1-1.

Në fundin e pjesës së parë, Egnatia mbeti me një lojtar më pak. Kapiteni Aleksi fillimisht u ndëshkua me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje në mesfushë, por pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari ndryshoi vendimin dhe i tregoi kartonin e kuq, duke përmbyllur një ndeshje “të zezë” për mesfushorin.
Në pjesën e dytë, Petrokubi shtoi presionin dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por portieri Dajsinani ishte i jashtëzakonshëm, duke shpëtuar disa herë portën e Egnatias. Edhe skuadra rrogozhinase pati mundësi për të kaluar në avantazh, por rastet e krijuara nuk u konkretizuan.
Në fund, gjithçka u mbyll në barazim 1-1, një rezultat që lë të hapur kualifikimin dhe konsiderohet pozitiv për mënyrën sesi shkoi ndeshja. Egnatia do të kërkojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës së saj në ndeshjen e kthimit në Rrogozhinë për të siguruar kalimin në raundin tjetër të eliminatoreve të Champions League.
Champions Leagua, Raundi 1
Petrokub-Egnatia 1-1
1′ Popesku / 35′ Kryeziu

