LIBRAZHD, 22 maj 2026 /Albania Express News/ Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha deklaroi sot se qytetarët kanë treguar interes të lartë në lidhje me “Paketën e Maleve”, duke theksuar se janë regjistruar rreth 260 aplikime nga banorë që synojnë të investojnë në vendlindjet e tyre për zhvillimin e turizmit dhe bujtinave malore.
Mariglen Disha foli për projektet kryesore që pritet të ndryshojnë rrënjësisht qytetin dhe zonat përreth. Ai u shpreh se fokusi kryesor i bashkisë mbetet zhvillimi i turizmit malor, ndërsa paralelisht do të vijojë puna për rikonstruksionin e rrugëve kryesore në fshatra. Falë investimeve në infrastrukturë turistët tashmë mund të shkojnë lirisht edhe në njësitë administrative.
“Fokusi është zhvillimi i turizmit malor në Shqipëri. Kemi shumë projekte të tjera që i kemi ndarë me lote. Loti i parë, i dytë dhe i tretë që janë rikonstruksioni i rrugëve kryesore të fshatrave sepse paralelisht me rikonstruksionin e rrugëve kryesorë të fshatrave unë zhvillohet dhe turizëm malor. Sot e them me plot gojën dhe qyteti i Librazhdit nuk është më qytet tranzit, që njerëzit thjesht kalonin dhe iknin, në Maqedoni, Greqi, Korçë e Pogradec. Turistë ke si në qytet, por edhe në të gjitha njësitë administrative. Kjo është falë punës së mirë për të bërë në lidhje me rikonstruksionin e rrugëve kryesore të fshatrave. Tani rrugët kryesore janë të rikonstruktuara”, tha ai.
Si një rast suksesi për turizmin malor Disha përmendi fshatin turistik Fushë-Studen. Ai tha se ky fshat është kthyer në një atraksion turistik ku nga e hëna në të dielë vijnë me qindra turistë.
“Për vitin 2025 e vizituan rreth 192 mijë vizitorë shqiptarë dhe të huaj. Kemi investuar falë mbështetjes së qeverisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit rikonstruksionin e rrugës që lidhet me qendrën. Kemi investuar te liqeni i Fushë-Studen një shëtitore me pistë për biçikleta, parkim dhe ambiente rekreative. Jemi në fazën e zbatimit të një zipline dhe ballkoneve panoramike që po ndërtojmë në këtë njësi dhe shumë shpejt do të përfundojnë dhe do të jenë në shërbim të gjithë vizitorëve”, tha kreu i bashkisë Librazhd.
Një tjetër tregues pozitiv për bashkinë e Librazhdit, sipas Dishës, është edhe interesi i lartë për “Paketën e Maleve”. Ai bëri të ditur se në Librazhd janë regjistruar rreth 260 aplikime nga banorë që synojnë të investojnë në vendlindjet e tyre për zhvillimin e turizmit dhe bujtinave malore.
“Është një numër i konsiderueshëm. Shumica e tyre janë banorë që kanë shprehur dëshirën, kanë sjellë projektet për të investuar në vendlindjet e tyre, çka tregon besimin që kanë tek zhvillimi i turizmit në Librazhd”, deklaroi Disha. Në kuadër të kësaj nisme të qeverisë, kryebashkiaku i Librazhdit zbuloi se një rol të rëndësishëm luan edhe komunikimi me emigrantët që jetojnë jashtë.
“Ne kemi krijuar drejtorinë e diasporës për të gjithë qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit për t’u kthyer përgjigje të gjithë ankesave e kërkesave që kanë. Në Londër organizuam për herë të “Sofrën e Librazhdit”, me rreth 200 familje, ku iu bëra ftesë të gjithë atyre që kanë mundësi të vijnë dhe të aplikojnë në Paketën e Maleve. Pushtetin vendor do ta kenë mbështetje për të lehtësuar këtë proces”, tha ai.
Si një nga sfidat më kryesore të tij në krye të bashkisë mbetet pikërisht zhvillimi ekonomik financiar i kësaj bashkie.
“Do të mundësoja që të gjithë të rinjtë t’i punësoja në bashki, në mënyrë të tillë që të mos iknin nga qyteti por të jepnin kontributin e tyre në zhvillimin e qytetit. Ne jemi shumë afër me Tiranën, me përfundimin e Korridorit VIII afrohemi për 35 minuta dhe dalim si një lagje e kryeqytetit. Bëmë një punë shumë të mirë me rritjen e pagave. Bashkia e Librazhdit i ka rritur 100% pagat”, tha ndër të tjera Disha, duke u bërë thirrje të rinjve që mbarojnë studimet e larta të kontribuojnë në vendlindje.

