VLORË,21 maj 2026/Albania Express News/Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Sala, ka zbritur në terren në zonën e Vlorës, aty ku është evidentuar një vatër pozitive e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR), duke ndjekur nga afër situatën së bashku me trupën e veterinerëve të AKVMB-së.
Përmes një postimi publik, ministri bëri të ditur se menjëherë pas konfirmimit të rastit janë aktivizuar të gjitha strukturat përgjegjëse dhe janë marrë masa të rrepta karantinimi, si dhe ndalimi i lëvizjes së kafshëve në zonën e prekur. Sipas autoriteteve veterinare, tufat deri më tani nuk kanë shfaqur shenja klinike të sëmundjes, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje.
Ministria e Bujqësisë dhe AKVMB kanë aktivizuar Qendrën Kombëtare të Krizës, duke vendosur menjëherë masa kufizuese në perimetrin 3 km dhe 10 km nga vatra e identifikuar. Paralelisht është forcuar kontrolli veterinar, janë shtuar inspektimet në terren dhe janë rritur masat e biosigurisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Sipas njoftimit zyrtar, po zbatohet intensivisht edhe Programi Kombëtar i Mbikëqyrjes, që synon evidentimin e hershëm dhe kontrollin e përhapjes së virusit në të gjithë territorin e vendit. Prioritet kryesor mbetet mbrojtja e shëndetit të kafshëve, ruajtja e sigurisë së sektorit blegtoral dhe minimizimi i dëmeve ekonomike për fermerët.
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë, duke sjellë pasoja të konsiderueshme ekonomike për blegtorinë. Autoritetet theksojnë se kjo sëmundje nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, por kërkon reagim të shpejtë dhe bashkëpunim maksimal për të frenuar përhapjen.
Nga Vlora, ministri Andis Sala garantoi se strukturat shtetërore janë në gatishmëri të plotë dhe se çdo hap po ndiqet me prioritet të lartë për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur fermerët shqiptarë.

