Historike në Itali/ Pistoia drejt ndryshimit, Anna Maria Celesti synon të bëhet gruaja e parë në krye të qytetit! Mbështetje masive edhe nga komuniteti shqiptar

NGA FATMIR POPJA

PISTOIA,21 maj 2026/Albania Express News/Në prag të zgjedhjeve administrative që do të mbahen më 24 dhe 25 maj në Itali, klima politike në vend është ndezur ndjeshëm, ndërsa qytetet më të rëndësishme po përjetojnë një nga fushatat më intensive të viteve të fundit. Në 626 komuna dhe 15 qytete kryesore italiane, qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj vendorë, në një proces që konsiderohet një test i rëndësishëm edhe për vetë të ardhmen politike të Italisë.

Nga veriu në jug, debatet, takimet elektorale dhe përplasjet politike kanë dominuar jetën publike prej më shumë se dy muajsh. Një nga sfidat më të komentuara dhe më të ndjekura po zhvillohet në qytetin e Pistoia, ku për herë të parë historia politike e qytetit mund të marrë një kthesë të fortë simbolike dhe sociale.

Në garën për drejtimin e bashkisë së Pistoias janë tre kandidatë, por vëmendja më e madhe është përqendruar te Anna Maria Celesti, e cila synon të bëhet gruaja e parë që drejton qytetin pas dekadash të tëra dominimi politik mashkullor.

Mjeke gjinekologe me profesion, politikane aktive prej më shumë se 20 vitesh dhe nënkryetare bashkie për dy mandate, Celesti konsiderohet një figurë me eksperiencë të gjatë administrative dhe sociale. Përveç angazhimit në politikë, ajo ka qenë pjesë e shumë fondacioneve dhe shoqatave që operojnë në territorin e Pistoias, duke investuar në projekte sociale, shëndetësore dhe komunitare.

Në moshën 71-vjeçare, ajo ka arritur të thyejë shumë barriera në një qytet tradicionalisht konservator, me një histori politike mbi 70-vjeçare të lidhur kryesisht me të majtën italiane dhe Partinë Demokratike. Kandidatura e saj shihet nga shumë qytetarë si një moment ndryshimi dhe një mundësi për t’i dhënë qytetit një vizion të ri zhvillimi.

Rreth saj është krijuar një ekip i gjerë elektoral që përfshin parti të mëdha e të vogla politike, si edhe listën qytetare “Amo Pistoia”. Fushata e Celestit është karakterizuar nga qetësia, profesionalizmi dhe kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët, larg zhurmës së spektakleve politike apo aktiviteteve pompoze elektorale.

Në këtë sfidë, Celesti përballet me dy kandidatë të tjerë, të dy profesorë shkolle dhe universiteti, por mbështetësit e saj theksojnë se eksperienca administrative dhe lidhja e fortë me komunitetin e bëjnë atë një figurë të konsoliduar dhe të besueshme për drejtimin e qytetit.

Një rol të rëndësishëm në këtë garë po luan edhe komuniteti i huaj, i cili në Pistoia përfaqëson tashmë një realitet të rëndësishëm social dhe ekonomik. Vetë Anna Maria Celesti ka vlerësuar shpesh kontributin e 112 komuniteteve të huaja të integruara në qytet, duke i konsideruar ato pjesë thelbësore të zhvillimit të territorit.

Ndër komunitetet më aktive mbetet edhe ai shqiptar, i cili prej vitesh ka një peshë të rëndësishme në sektorë si biznesi, ndërtimi, bujqësia dhe vivaizmi. Pikërisht për këtë arsye, shumë forca dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali kanë dalë në mbështetje të kandidatëve shqiptarë dhe italianë që garojnë në listën e Anna Maria Celesti.

Në këtë listë bëjnë pjesë edhe kandidatet shqiptare Greisi Gjinaj dhe Etleva Rrapa, të cilat po kërkojnë mbështetjen e bashkëatdhetarëve në këto zgjedhje vendore.

Mesazhi që po përcillet nga mbështetësit e Celestit është i qartë: Pistoia ka nevojë për një drejtim të ri, më afër qytetarëve, më social dhe më njerëzor. Sipas tyre, eksperienca e saj si mjeke është një simbolikë e fortë për një qytet që kërkon “kurën” e duhur për problemet dhe sfidat e së ardhmes.

Në ditët e fundit të fushatës, thirrjet drejtuar komunitetit shqiptar janë shtuar, duke ftuar qytetarët që më 24 dhe 25 maj të votojnë për Anna Maria Celesti dhe kandidatët shqiptarë në listën e saj, në një garë që konsiderohet historike për vetë qytetin e Pistoias.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Reflektimi i mbrëmjes – thirrja urgjente për ndihmë

Nga Xhensil Shkëmbi Fillimisht, do u lutesha të gjithëve që...

Qeveria ndryshon rregullat për regjistrimin dhe përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve

TIRANË, 21maj 2026 /Albania Express News/ Forcohen rregullat e...

“Jam lodhur shpirtërisht”/ Gazetari Xhensil Shkëmbi apel për vajzën e sëmurë: Ka ardhur koha që shteti të përgjigjet

KORÇË,20 maj 2026/Albania Express News/Gazetari Xhensil Shkembi ka përcjellë...