ELBASAN,20 maj 2026/Albania Express News/Një tjetër sukses i madh për sportin elbasanas dhe për talentet e reja që po rriten çdo ditë në arenat sportive të qytetit. Ekipi përfaqësues i Qarkut të Elbasanit është shpallur kampion në basketboll për djem në Edicionin e IV të aktivitetit kombëtar “Ekipeve Sportive në Shkolla”, duke kurorëzuar me triumf një rrugëtim fantastik plot përkushtim, disiplinë dhe shpirt gare.
Finalja e madhe, e zhvilluar në pallatin sportiv “Feti Borova” në Tiranë, dhuroi emocione dhe rivalitet sportiv, ku djemtë e Elbasanit zhvilluan një ndeshje shumë të mirë përballë ekipit të Fierit. Me lojë të organizuar, mbrojtje të fortë dhe efikasitet në sulm, basketbollistët elbasanas arritën të fitojnë me rezultatin bindës 42-28, duke ngritur trofeun e kampionëve mes duartrokitjeve dhe entuziazmit të pranishmëve.
Ky sukses konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit që ka sporti i të rinjve në Elbasan, si edhe e punës së vazhdueshme që po bëhet për promovimin e basketbollit dhe aktiviteteve sportive në shkolla. Projekti “Ekipet Sportive në Shkolla”, i organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me Klubi Shumësportësh Elbasan, synon të evidentojë talentet e reja sportive dhe të krijojë një bazë të fortë për të ardhmen e sportit shqiptar.
Përmes këtij projekti, nxënësit jo vetëm që kanë mundësinë të aktivizohen në aktivitete sportive konkurruese, por edhe të zhvillojnë frymën e skuadrës, disiplinën, përgjegjësinë dhe pasionin për sportin. Talente të reja po dalin në pah çdo vit, duke u bërë pjesë e zinxhirit të ekipeve sportive të klubit dhe duke krijuar perspektivë për basketbollin elbasanas në të ardhmen.
Fitorja në këtë edicion është rezultat i punës së madhe të sportistëve, trajnerëve dhe të gjithë stafit që ka kontribuar në përgatitjen e ekipit. Paraqitja dinjitoze në finale tregoi nivelin e lartë të ekipit të Elbasanit, i cili dominoi ndeshjen dhe meritoi plotësisht titullin kampion.
Urime djemve kampionë, trajnerëve dhe të gjithë mbështetësve për këtë arritje të rëndësishme që i shton një tjetër trofe sportit të Qarkut të Elbasanit! 

