TIRANË, 21 prill 2026 /Albania Express News/ Në Luginën e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve vitet e fundit është shënuar një rritje e lartë e numrit të vizitorëve vendas e të huaj, duke sjellë edhe ngritjen e një sërë bujtinash.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shembullin e bujtinës “Plis” në Valbonë, që mbetet një nga destinacionet më të dashura për turistët.
“Bujtina “Plis” është një vend ideal për të shijuar ajrin e pastër, freskinë dhe bukurinë relaksuese të Alpeve shqiptare. E ndërtuar me standarde moderne, por që ruan frymën e shtëpive tradicionale të Alpeve, kjo bujtinë është një shembull i shkëlqyer i mënyrës se si investimet në traditë, natyrë dhe mikpritje mund të shndërrohen në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm”, shkruan Rama.
Bujtina “Plis” ofron një përvojë autentike shqiptare mes maleve madhështore të Tropojës, me ushqim bio nga prodhimet e zonës dhe qetësinë e natyrës së egër e të paprekur.
Për zonat malore, mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve, e cila synon të fuqizojë zhvillimin ekonomik dhe të nxisë qëndrueshmërinë e jetesës në këto zona të thella.
Ky projekt jo vetëm që nxit turizmin lokal, por gjithashtu fuqizon ekonominë rurale, duke krijuar vende pune dhe duke mbajtur të rinjtë në zonat e tyre. Ai dëshmon se politikat e mbështetjes për fermerët dhe sipërmarrësit ruralë janë një instrument efektiv për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë malore.

