Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, shprehu sot vlerësimin për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për operacionet e suksesshme që po zhvillon në goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes dhe mbajtjes së tyre pa leje në territorin e Tiranës.
Në një reagim në kuadër të operacionit “Barriera” ku u sekuestruan 12 pistoleta “Glock” me municion luftarak dhe u arrestua në flagrancë një 27‑vjeçar nga Kosova, Proda tha se “ky operacion si dhe operacionet dhe goditjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirorganizuar, profesionale, hetimore dhe operacionale, e strukturave të DVP Tiranë”.
Gjithashtu, vijoi Proda, konfirmojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo paligjshmërie tjetër.
Proda tha se armët e zjarrit janë mjeti kryesor për kryerjen e veprave penale dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.
“Parandalimi dhe goditja e tyre mbetet një prioritet absolut i Policisë së Shtetit, në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve. Sjell në vëmendjen tuaj se gjatë vitit 2026, goditja pa kompromis e armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë kriminale të lidhur me to, do të jetë një nga fokuset kryesore të punës së Policisë së Shtetit në të gjitha qarqet e vendit”, nënvizoi Proda.
Proda inkurajoi forcat e policisë që të vazhdojnë punën me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

