Reshjet e dëborës që kanë përfshirë qarkun e Elbasanit në ditët e para të Vitit të Ri 2026 kanë sjellë një pamje përrallore në zonat malore, duke i kthyer Gjinarin dhe Funarin në destinacione të preferuara për turizmin dimëror. Bardhësia e dëborës, ajri i pastër malor dhe qetësia që ofron natyra krijojnë një atmosferë ideale për pushuesit që kërkojnë largimin nga zhurma e qytetit.

Gjinar, fshati turistik mes dëborës dhe pishave
Vetëm 22–25 kilometra larg qytetit të Elbasanit, fshati turistik i Gjinarit është shndërruar vitet e fundit në një nga pikat më të frekuentuara, jo vetëm nga vizitorët vendas, por edhe nga turistë të huaj. Këtë fundjavë, Gjinari ofron një peizazh fantastik të mbuluar nga dëbora, ku pishat e larta, kabinat alpine dhe rrugicat e bardha krijojnë pamje magjike.
Kabinat alpine dhe bujtinat në Gjinar ofrojnë mikpritje të ngrohtë dhe komoditet për turistët, duke e bërë këtë fshat një destinacion të vizitueshëm gjatë gjithë vitit. I njohur për bukurinë natyrore dhe freskinë e ajrit malor, Gjinari po konsolidohet si një nga pikat më të preferuara të turizmit malor në bashkinë Elbasan.

Investimet e fundit dhe përkushtimi i komunitetit lokal për zhvillimin e agroturizmit kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të vizitorëve nga viti në vit. Fshati shtrihet në një peizazh kryesisht malor, ndërsa Mali i Bukanikut, me lartësi 1831 metra mbi nivelin e detit, mbetet një destinacion i pëlqyer për sportet alpine dhe shëtitjet dimërore. Pyjet e dendura dhe resurset natyrore janë pasuria më e madhe e kësaj zone.
Liqenet e vegjël, uji i kristaltë dhe dëbora e bardhë përbëjnë më shumë se një zonë turistike; ato janë sekreti që tërheq vizitorët dhe shpresa e banorëve për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të cilësisë së jetesës.
Njësia Administrative e Gjinarit përfshin fshatrat Gjinar, Lleshan Valesh, Pashtresh, Derstile, Lukan, Sterstan, Xibresh, Maskarth, Kaferr dhe Pobrat, me rreth 5100 banorë. Banorët, me dashamirësi dhe mikpritje tradicionale, u ofrojnë vizitorëve ambiente çlodhëse të krijuara me mund dhe përkushtim.

Funari, perla e bardhë mes Elbasanit dhe Tiranës
E mbuluar nga dëbora është edhe zona e Funarit, një tjetër fshat turistik në bashkinë e Elbasanit, i cili vitet e fundit ka njohur një rritje të ndjeshme të vizitorëve. Rreth 20 kilometra larg, pothuajse në distancë të barabartë nga Elbasani dhe Tirana, Funari fshihet si një perlë e natyrës që tërheq gjithnjë e më shumë adhurues të qetësisë dhe bukurisë natyrore.
Mes bardhësisë së dëborës, freskisë së liqeneve dhe ajrit të pastër, Funari ofron një fundjavë fantastike për familjarë, të rinj dhe turistë të huaj. Mikpritja e ngrohtë e banorëve dhe peizazhi natyror janë kthyer në kartën më të fortë promovuese të kësaj zone.
Ndërkohë që infrastruktura rrugore është përmirësuar disi, një sërë projektesh pritet ta kthejnë Funarin në një destinacion të rëndësishëm turistik, veçanërisht për sportet e natyrës dhe ato ujore, duke i dhënë zonës një zhvillim të qëndrueshëm edhe gjatë sezonit dimëror.

Labinot Mali, një tjetër perlë e turizmit malor dimëror në Elbasan
Turizmit malor dimëror në bashkinë e Elbasanit i shtohet edhe zona e Labinot Malit, e cila gjatë këtyre ditëve është mbuluar nga dëbora, duke ofruar pamje mbresëlënëse dhe një qetësi karakteristike malore. I pozicionuar në një reliev kodrinoro-malore dhe i rrethuar nga pyje të dendura, Labinot Mali është gjithnjë e më shumë i frekuentuar nga vizitorë që kërkojnë natyrë të pastër, ajër të freskët dhe eksperienca autentike rurale. Reshjet e dëborës e kanë kthyer zonën në një destinacion ideal për shëtitje dimërore, fotografi natyre dhe pushime fundjave, ndërsa mikpritja tradicionale e banorëve dhe produktet bio të zonës po e bëjnë Labinot Malin një pikë gjithnjë e më të rëndësishme në hartën e turizmit malor të Elbasanit.

Elbasani, drejt një harte të re turistike dimërore
Dëbora që ka “zbardhur” Gjinarin, Funarin dhe zona të tjera të qarkut të Elbasanit ka rikonfirmuar potencialin e madh që këto fshatra kanë për turizmin malor dimëror. Pamjet magjike, natyra e paprekur dhe mikpritja tradicionale po e vendosin Elbasanin gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve turistike të preferuara të vendit, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë të dimrit.


