UGSH kundër rregullores së re të GJKKO-së: Kufizon lirinë e medias dhe cenon të drejtën për raportim

TiIRANË, 05 gusht 2026 /Albania Express News/- Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër ndaj rregullores së re të publikuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke e cilësuar atë si një akt që vendos kufizime të pajustifikuara për gazetarët dhe cenon lirinë e medias, të garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në një deklaratë zyrtare, UGSH shprehet se Vendimi nr. 49, datë 17 korrik 2026, që miraton “Rregulloren e Brendshme për Sigurinë, Rendin, Solemnitetin dhe Rregullat e Sjelljes në Ambientet e GJKKO-së”, si dhe komentari shoqërues prej 532 faqesh, përmbajnë dispozita që kufizojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë aksesin e mediave në institucion dhe krijojnë procedura burokratike që pengojnë ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, dokumentet vendosin kërkesa të reja për autorizime paraprake, kufizojnë numrin e gazetarëve që mund të ndjekin proceset gjyqësore, vendosin rregulla të reja për regjistrimet audio-vizive dhe fotografimin, si edhe parashikojnë procedura akreditimi që, sipas tyre, cenojnë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e informimit.

UGSH argumenton se këto masa bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si dhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë zhvillimin publik të proceseve gjyqësore dhe mbrojnë të drejtën e publikut për t’u informuar mbi funksionimin e drejtësisë.

Në reagim thuhet se kërkesa për autorizim paraprak e kthen aksesin e medias nga një e drejtë kushtetuese në një leje administrative, duke krijuar pengesa veçanërisht për mbulimin e zhvillimeve të papritura apo seancave urgjente. Gjithashtu, sipas UGSH-së, mungesa e kritereve të qarta për përzgjedhjen e gazetarëve i jep administratës së gjykatës një kompetencë diskrecionale për të lejuar ose refuzuar hyrjen e mediave.

Një tjetër shqetësim lidhet me procedurën e akreditimit, e cila parashikon regjistrimin e gazetarëve vetëm një herë në vit. Sipas Unionit, kjo skemë është e papërshtatshme për realitetin e redaksive, pasi nuk parashikon zëvendësime apo akreditime të reja në rast ndryshimesh të stafit, duke rrezikuar të pengojë mbulimin e proceseve gjyqësore.

UGSH vëren gjithashtu se në rregullore mungon një mekanizëm ankimi për rastet kur një gazetar ose media refuzohet të hyjë në ambientet e GJKKO-së, duke e lënë vendimmarrjen pa një mjet efektiv kundërshtimi.

Në deklaratë, organizata shpreh shqetësimin se filozofia mbi të cilën është ndërtuar rregullorja e trajton median si një rrezik për procesin gjyqësor, ndërkohë që, sipas saj, media është një garant i transparencës dhe një element thelbësor i kontrollit publik mbi sistemin e drejtësisë.

Për këtë arsye, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i bën thirrje GJKKO-së të rishqyrtojë menjëherë kapitujt e rregullores dhe komentarit që lidhen me marrëdhëniet me mediat, duke kërkuar ndërhyrje redaktuese që të harmonizojnë dokumentet me standardet kushtetuese dhe ato evropiane.

Njëkohësisht, UGSH u është drejtuar Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore, duke kërkuar ndërhyrjen dhe ndikimin e tyre për të shmangur, sipas tyre, krijimin e praktikave që mund të shndërrohen në modele censurimi brenda sistemit të drejtësisë.

Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, liria e medias dhe e drejta e publikut për t’u informuar duhet të mbeten të pacenueshme, ndërsa çdo rregullore që prek këto të drejta duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane të të drejtave të njeriut.

Screenshot

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ndarja territoriale: A ka ardhur koha ta zhdukim jugun dhe veriun?

NGA BEN BLUSHI TIRANË ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Unë jam...

Egnatia bie në Dublin, por lë të hapur shpresat për përmbysje në Rrogozhinë

DUBLIN, 05 gusht 2026 / Albania Express News /-Egnatia...