Propozimi për Reformën Territoriale/ PS nis konsultimet për hartën e re, mazhoranca u dërgon draftin bashkive

TIRANË ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Teksa në të gjitha qytetet që preken nga reforma e re territoriale kanë nisur protestat kundërshtuese, Partia Socialiste u ka dërguar bashkive projektligjin për ndarjen e re administrative të njësive të qeverisjes vendore.

Në shkresën e dërguar kërkohet që kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë të paraqesin mendimin e tyre në lidhje me propozimin, duke argumentuar qëndrimin kundër apo qëndrime alternative.
Po ashtu, bashkitë kanë 60 ditë kohë nga marrja e kësaj kërkese për të organizuar dëgjesa me qytetarët për informimin dhe konsultimin me ta.

Projektligji propozon 46 bashki dhe 12 qarqe, të organizuara në skemën bashki-qytet, njësi administrative ku bashkia do të përbëhet nga qytetet, ndërsa qyteti përbëhet nga njësitë administrative dhe fshatrat, dhe do të shërbejë si njësi funksionale e planifikimit, përfaqësimit dhe organizimit të shërbimeve.
Struktura e plotë e 46 bashkive përbëhet nga 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Njëzet bashki kanë më shumë se një qytet.
Sa më sipër, dy konsolidime janë trepalëshe. Bashkia e Beratit përfshin tre qytete: Beratin, Dimalin dhe Poliçanin, ndërsa Bashkia e Elbasanit përfshin qytetet Elbasan, Cërrik dhe Belsh.
Sa u përket qarqeve, ato do të konsolidohen si më poshtë, Vlora kthehet në qarkun me numrin më të madh të bashkive, me 6 të tilla, pasuar nga Korça me 5 bashki, Elbasani, Gjirokastra, Shkodra dhe Tirana me 4 bashki, si dhe qarqet Berat, Dibër, Durrës, Kukës dhe Lezhë me 3 bashki.
Sipas PS-së, territori u vlerësua duke u bazuar në tre indekse kryesore, indeksin e funksionalitetit të bashkive, indeksin e performancës ekonomike dhe indeksin e masës urbane.
Pritet që në këto kritere të bazohen edhe përgjigjet e kryetarëve të bashkive apo këshillave bashkiakë, në përgjigjet e tyre ndaj këtij projektligji.
Partia Socialiste synon që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027 të organizohen dhe të zhvillohen mbi bazën e ndarjes së re territoriale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME