Në prag të këtij fundviti Federata e Paqes Universale (FPU), në bashkëpunim me Federatën e Familjes, zhvilloi në Strugë të Maqedonisë së Veriut me Ambasadorët për Paqe seminarin me temë “Duaj Zotin, Duaj Njerëzit, Duaj Kombin”, një ngjarje me peshë të veçantë shpirtërore, institucionale dhe njerëzore.
Seminari bëri bashkë rreth 70 drejtues të Këshillave të Paqes, anëtarë të Këshillit Drejtues të FPU-së dhe Ambasadorë për Paqe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët për tre ditë ndanë përvoja, vizione dhe angazhime konkrete për ndërtimin e paqes, duke nisur nga vetja, familja dhe komuniteti.

Momenti kulmor i aktivitetit ishte vlerësimi me titullin “Ambasador për Paqe” i z.Mendi Qyra, Kryetar i Komunës së Strugës, për kontributin e tij të vazhdueshëm në shërbim të komunitetit, për kujdesin ndaj njerëzve në nevojë, si dhe për rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e sportit dhe promovimin e futbollit, duke e çuar skuadrën e Strugës, të themeluar dhe mbështetur prej tij, drejt dy titujve kampionë të Maqedonisë së Veriut.
Pas marrjes së titullit, z. Mendi Qyra u shpreh i emocionuar dhe mirënjohës për këtë vlerësim duke theksuar se paqja ndërtohet përmes veprave konkrete dhe shërbimit ndaj njerëzve.

“Ky titull është një nder i madh për mua, por mbi të gjitha është një përgjegjësi edhe më e madhe. Paqja nuk ndërtohet vetëm me fjalë, por me vepra të përditshme, me kujdes ndaj njeriut, me drejtësi dhe solidaritet. Si kryetar i Komunës së Strugës, do të vazhdoj të punoj që qyteti ynë të jetë një shembull bashkëjetese, harmonie dhe respekti mes njerëzve,” – u shpreh Qyra.
Ai shtoi se vlerat e promovuara nga Federata e Paqes Universale përputhen plotësisht me filozofinë e tij të drejtimit dhe me misionin për t’i shërbyer qytetarëve.

“Duke dashur Zotin dhe duke respektuar njeriun, ne forcojmë familjen, komunitetin dhe kombin. Ky çmim më motivon edhe më shumë për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të bashkuar dhe më paqësore,” – theksoi kryetari i Strugës.
Z. Mendi Qyra është një personalitet i njohur i jetës ekonomike dhe shoqërore të Strugës. Ai është histori suksesi në botën e sipërmarrjes dhe ka një përvojë të gjatë në Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, ku ka ushtruar edhe detyrën e Kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP). Gjithashtu.

Qyra është themelues dhe drejtues i kompanisë “Trim & Lum”, një ndërmarrje e qëndrueshme që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal. Në zgjedhjet lokale të këtij viti, ai u zgjodh Kryetar i Komunës së Strugës, duke marrë besimin e qytetarëve për drejtimin e institucionit vendor.

Ndërkohë seminari me Ambasadorët për Paqe nga të gjitha trojet shqiotare u zhvillua në ambientet mikpritëse të hotel “Ëmbla”, buzë liqenit të Ohrit në Strugë , ku mjedisi i qetë dhe stafi profesionist krijuan një atmosferë familjare dhe festive. Programi përfshiu seanca reflektimi mbi Parimet Themelore të Paqes, momente meditimi në mëngjes, mbrëmje festive me muzikë, këngë e valle, si dhe surpriza të shumta për pjesëmarrësit.
Gjatë mbrëmjes së dytë, familja e Ambasadorëve për Paqe u zgjerua me pranimin e 9 personaliteteve të reja, ndërsa vizita turistike në Ohër i dha seminarit një tjetër dimension kulturor dhe shpirtëror.

Seminari u mbyll me një mesazh të qartë dhe frymëzues: paqja nuk është vetëm një ideal, por një angazhim i përditshëm, që nis nga vetja dhe reflektohet në familje, komunitet dhe institucione. Vlerësimi i z. Mendi Qyra me titullin “Ambasador për Paqe” u konsiderua nga pjesëmarrësit si një shembull domethënës i lidershipit që ndërton ura bashkëpunimi dhe forcon harmoninë shoqërore.


