Basketboll/ Tirana bind në Elbasan, zgjohet edhe Partizani

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka hapur dje javën e dhjetë të sezonit të rregull me takime në Elbasan dhe Tiranë. Një ditë pozitive për ekipet kryeqytetase, me Tiranën dhe Partizanin që regjistruan fitore. Bardheblutë e Erkand Karajit triumfuan me rezultatin treshifror 76-124 në transfertë kundër Elbasanit.

Rendiment i lartë në sulm për bardhblutë përballë një mbrojtjeje me “ç’organizim të organizuar” si ajo elbasanase. Tirana e filloi me ritëm, duke fituar periodën e parë 15-33, për të marrë edhe të dytën 18- 35, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 33-68 në shifra të përgjithshme. Gjysma e dytë e ndeshjes nuk ndryshoi asgjë, me bardheblutë që fituan edhe dy periodat e radhës, 22-28 dhe 21-28, duke vulosur suksesin final me +48 pikë në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.

Kjo ishte fitorja e nëntë në dhjetë takime për Tiranën, me kryeqytetasit që e shikojnë veten momentalisht në vendin e parë të renditjes. Ndërkohë, verdheblutë ndodhen në vendin e tetë, me tri fitore dhe shtatë humbje. Duke kaluar te statistikat, pesë lojtarët prekën kuotë dyshifrore për miqtë, ndërsa më të mirët ishin Endrit Hysenagolli, me 24 pikë e 11 kërcime, si dhe Jonathan Massie, autor i 27 pikëve.

Për Elbasanin spikati i zakonshmi Vacario Triplet, shënuesi më i mirë i ndeshjes me 31 pikë. Partizani është rikthyer te suksesi në kampionat pas katër humbjeve radhazi. Të kuqtë gjetën triumfin e dytë sezonal, teksa mposhtën Pogradecin në pallatin e sportit “Asllan Rusi” me rezultatin 86-72 (16-15, 20- 21, 29-18, 21-18).

Një përballje me rivalitet, ndërsa pas një pjese të parë me epërsi të lehtë të liqenorëve, 33 herë kampionët e Shqipërisë e bënë diferencën në gjysmën e dytë, duke merituar edhe fitoren. Pas këtij takimi, të kuqtë e Erdal Borovës renditen në vendin e nëntë, ndërsa Pogradeci është i njëmbëdhjeti. Protagonisti absolut i sfidës ishte Gerard Davis, autor i 42 pikëve, 11 kërcimeve dhe 3 asistimeve për Partizanin. Për miqtë shkëlqeu Christain Taylor me 24 pikë, 11 kërcime e 3 asistime.

KALENDARI

Katër ndeshjet e tjera të javës së nëntë do të luhen më datë 21 dhjetor, duke nisur në orën 13:00 në Durrës, aty ku Teuta vendëse pret Skënderbeun. Në orën 16:30 do të jetë radha për derbin Fieri-Apolonia, ndërsa në orën 18:00 Vllaznia pret Kamzën në Shkodër. Takimi i fundit do të jetë në orën 19:30 në Vlorë, aty ku Flamurtari vendës pret Besëlidhjen, kampionen e dy sezoneve të fundit në Shqipëri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...