Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kurorëzon ekselentët në gazetari; ndahen çmimet vjetore “Vangjush Gambeta 2025” në një aktivitet prestigjioz në Ambasadën Gjermane në Tiranë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) zhvilloi edicionin e 17-të të ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarët shqiptarë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të fundvitit për komunitetin mediatik. Veprimtaria u mbajt në ambientet e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe u mbështet nga Programi Rajonal i GIZ #SustainMedia, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian.

Në këtë ceremoni solemne u shpallën fituesit e konkursit prestigjioz “Vangjush Gambeta” 2025, ku u vlerësuan gazetarë të ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e raportimit profesional dhe të përgjegjshëm në një fushë kyçe për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të rajonit.

Fituesit e çmimeve “Vangjush Gambeta” 2025

Juria e konkursit, e kryesuar nga gazetarja Oljana Maloku, me anëtarë Kreshnik Kucaj, Lorenco Rabeta, Vedat Memedalija (Shkup) dhe Agon Sinani (Kosovë), vlerësoi me çmimin “Vangjush Gambeta” gazetarët:

  • Eliza Gjediku – Shqipëri;
  • Ilda Hoxha – Shqipëri;
  • Uran Haxha – Kosovë;
  • Anëmsha Shabani – Maqedonia e Veriut.

Çmimet vjetore të UGSH për vitin 2025

Bordi i çmimeve të UGSH, i kryesuar nga kryetari Aleksandër Çipa, nderoi emra të shquar të gazetarisë bashkëkohore shqiptare.

Çmimi “Karriera” 2025 iu dha:

  • Artur Zheji (pas vdekjes) – për kontributin e jashtëzakonshëm në gazetarinë kombëtare dhe rajonale, kulturën e thellë analitike dhe modelin e gazetarit erudit;
  • Nazim Rashidi (Shkup) – për një karrierë shumëvjeçare me standarde të larta etike, rol qytetar dhe kontribut të vyer në bashkëjetesën ndëretnike në Ballkanin Perëndimor.

Çmimi Special i UGSH (i ndarë për herë të parë) iu akordua gazetarit Besim Dybeli, për dekada përkushtimi në media, rolin e tij si mentor i gazetarëve të rinj dhe angazhimin aktiv në komunitetin profesional, veçanërisht si drejtues i degës së UGSH në qarkun e Elbasanit.

“Reporter i Vitit 2025” u shpall gazetari Eraldo Harlicaj, për raportimin këmbëngulës dhe me ndjeshmëri të lartë humane mbi rastin e vrasjes së vogëlushit Martin Camaj, raportim që ndikoi drejtpërdrejt në rritjen e vëmendjes publike dhe procesin e drejtësidhënies.

“Raportimi më i mirë i Vitit 2025” iu dha fotoreporterit Florion Goga, i cili, përmes Reuters, përcolli në media kombëtare dhe ndërkombëtare imazhe tronditëse nga zjarret masive në periferi të Delvinës, duke nxitur solidaritet qytetar dhe reagim institucional.

Për të pestin vit radhazi, çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive iu nda Saimir Demit (pas vdekjes), për profesionalizmin dhe kontributin e tij të çmuar në gazetarinë sportive shqiptare, si model frymëzimi për brezat e rinj.

Një mbrëmje me mesazhe të forta për lirinë e medias

Ceremonia u çel nga Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Sh.T. Karl Bergner, ndërsa përshëndetje mbajtën edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi; Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi; kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mediat, Jorida Tabaku; si dhe personalitete të njohura të medias dhe jetës publike.

Kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, theksoi se veprimtaria gati dydekadëshe e Unionit përfaqëson një zë të fuqishëm në mbrojtje të lirisë së medias, solidaritetit profesional dhe identitetit të gazetarit shqiptar.

Aktiviteti, i moderuar me profesionalizëm nga Suela Demiri dhe Loneda Progni, u shndërrua në një festë të vlerave të gazetarisë, duke bashkuar kolegë nga e gjithë hapësira shqiptare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH)

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ministrat Salla e Malaj takojnë fermerët protestues: Shtohen subvencionet, kontrolle mbi produktet e importit

TIRANË, 7 prill/Albania Express News/ Ministri i Bujqësisë dhe...

Ministrat Hoxha-Pirdeni me studentët në Durrës: E pandalshme rruga e Shqipërisë drejt BE

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët...

Federata Ndërkombëtare e Paqes Universale informon se Dr. Hak Ja Han , zyrtarisht është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2026

Federata Ndërkombëtare e Paqes Universale (FPU) ka përshëndetur zyrtarisht...

Mungesa dhe pezullime, Flick me “dhimbje koke”, Atletico sfidon katalanasit

Gjithçka gati për një supersfidë në UEFA Champions League,...