Skiatori shqiptar, Denni Xhepa arriti një sukses historik në Francë.
22-vjeçari korri një fitore të jashtëzakonshme në garën e Slalomit të FIS-it të zhvilluar këtë të mërkurë në Val Cenis, duke siguruar vendin e parë mes konkurencës së fortë europiane dhe duke valëvitur flamurin kuqezi në pistat ndërkombëtare.
Xhepa e nisi garën me një paraqitje mbresëlënëse në lëshimin e parë, ku regjistroi kohën 43,55 sekonda.
Ai ruajti ritmin e lartë dhe teknikën perfekte edhe në zbritjen e dytë, 45,86 sekonda, duke e mbyllur garën me kohën totale 1:29,41.
Performanca e tij e lartë i dha një avantazh prej 0,76 sekondash ndaj rivalit francez Nash Marchand Hout, ndërsa Theo Lopez u rendit i treti.
“Deni Xhepa fiton Slalomin në Val Cenis! Rezultat i madh sot në Francë! Me ritëm të lartë, teknikë të pastër dhe kontroll perfekt, Deni ngre krenarisht flamurin kuqezi në skenën ndërkombëtare”, thekson Federata Shqiptare e Skive pas triumfit.
Ky rezultat e konfirmon Xhepën si një nga talentet më premtues të skive shqiptare dhe shënon një tjetër hap përpara për sportin e bardhë në vend.

