Pasditen e së dielës është rezervuar Derbi i zjarrtë i Kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Është një ndeshje që e gjen skuadrën bardheblu në pozita tejet delikate, me Tiranën që është në vendin e fundit në klasifikim me vetëm 6 pikë.
Trajneri Nuhiu në një konferencë për shtyp përpara kësaj ndeshjeje deklaroi se Tirana duhet të fitojë këtë ndeshje për vete por edhe për tifozët.
‘Është nder dhe kënaqësi të jesh pjesë e këtij derbi, por njëkohësisht edhe përgjegjësi. Lojtarët duhet të tregojnë karakter dhe personalitet sepse është ndeshje e veçantë dhe speciale edhe për tifozët tanë-tha trajneri Nuhiu-Nuk duhet vetëm të luajmë por edhe ta fitojmë, jo vetëm për 3 pikët që kemi aq shumë nevojë por edhe që të gëzojmë tifozët’.
Ky derbi me Partizanin, për Tiranën vjen pas atij me Dinamon që Tirana e humbi me rezultatin tenistik 6-2.
‘Futbolli gjithmonë të jep një mundësi tjetër, është mirë që ndeshja po vjen shumë shpejt, që të harrojmë ndeshjen e kaluar-vijoi Nuhiu-Tani kemi mundësinë që të tregojmë shumë karakter, sepse kur je poshtë, kur je rrëzuar, duhet të reagojmë, të zgjohemi sepse vërtetë është shumë e rëndësishme për ne. Do të jetë ndeshje e vështirë sepse është derbi, por edhe skuadra kundërshtare ka bërë mirë në javët e fundit, futbollistët duhet të reagojnë dhe të “vdesin” në fushë për këtë takim, duhet të fitojmë edhe për klasifikimin që mos të shkëputen skuadrat e tjera, duhet të lemë shpirtin në fushë për të fituar’
Për ardian Nuhiun rezultati i sfidës me Partizanin nuk do të ndikojë tek e ardhmja e tij
‘Kemi diskutuar por nuk ndikon në të ardhmen time, i besojmë sistemit të punës, futbolli do kohën e vet, do përmirësohemi që skuadra të rritet gradualisht-tha trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu.



