Ndeshja Egnatia – Flamurtari nuk ishte historike për rezultatin në fushë, por mbi të gjitha për atë që ndodhi në kë 90-të minutësh. Për herë të parë në historinë e Abissnet Superiore, një ndeshje kampionati u gjykua nga një treshe e plotë arbitrash femra, duke shënuar një hap të rëndësishëm për futbollin shqiptar dhe për barazinë gjinore në sport.
Në krye të arbitrimit ishte Emanuela Rusta, së bashku me asistentet Mirjeta Salla nga kolegjiumi i Elbasanit dhe Ediena Kapxhiu nga kolegjiumi i Durrësit. Një treshe me përvojë, e cila ka qenë e pranishme edhe në ndeshje ndërkombëtare, duke treguar se cilësia dhe profesionalizmi nuk kanë gjini.

Më herët ka pasur raste kur një femër ka qenë arbitre kryesore apo asistente në ndeshje të Superiores, por asnjëherë më parë të treja rolet nuk ishin mbuluar njëkohësisht nga vajza, çka e bën këtë sfidë vërtet të veçantë dhe simbolike.
Performanca e tyre u vlerësua pozitive, duke e drejtuar takimin me qetësi, autoritet dhe korrektësi, në një ndeshje aspak të lehtë për nga tensioni dhe rëndësia për të dyja skuadrat. Ky moment përbën një mesazh të fortë për brezat e rinj, se futbolli shqiptar po hap dyert gjithnjë e më shumë për vajzat dhe gratë në të gjitha nivelet.
Një hap i vogël në pamje të parë, por një hap gjigant për historinë e arbitrimit shqiptar.



