Gjykata e Elbasanit ka caktuar datën për mbajtjen e seancës për vlerësimin e masave të sigurimit ndaj Xhino Agos dhe Kujtim Pishës, të cilët u arrestuan pas vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla, krim i ndodhur mbrëmjen e 30 nëntorit.
Sipas njoftimit zyrtar, për këtë çështje seanca gjyqësore është caktuar më datën 5 dhjetor, në orën 10:00 ku prokuror do të jetë Gjergji Ceka ndërsa gjyqtar për masat e sigurimit z. Elis Dine.
Seanca do të mbahet me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së hetimeve dhe nevojës për ruajtjen e sekretit hetimor.
Ndërkohë, lidhur me Nevzat Spahon, po ashtu i prangosur, nga verifikimet në sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore nuk rezulton që Prokuroria e Elbasanit të ketë depozituar një kërkesë për caktimin e masës së sigurimit.
“Sipas sistemit, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është regjistruar kërkesa e Prokurorisë për masat e sigurimit për shtetasit Xh. A dhe K. P., me objekt “Vlerësim arresti në flagrancë, caktim masë sigurimi”, për të cilat është caktuar seanca më datë 05.12.2025, ora 10:00. Në lidhje me kërkesën për shtetasin Nevzat Spaho, nga verifikimi në sistem nuk rezulton të jetë depozituar ndonjë kërkesë nga Prokuroria lidhur me këtë ngjarje.Seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura”, thuhet në njoftim.



