Një grevë e përgjithshme tre-ditore, e nisur të hënën, ka paralizuar Belgjikën, ndërsa sindikatat më të fuqishme në vend protestojnë ndaj reformave sociale dhe buxhetore të qeverisë, të cilat i cilësojnë si një “çmontim social”.
Aksioni sindikal ka prekur rëndë funksionimin e institucioneve publike dhe jetën e përditshme. Transporti, shkollat, spitalet dhe shërbimet bazë po operojnë me kapacitete të reduktuara, ndërsa efektet e grevës janë ndjerë edhe përtej kufijve belgë. Disa nga trenat ICE në linjën e ngarkuar Bruksel–Këln u anuluan, duke krijuar probleme edhe për udhëtarët në Gjermani.
Sipas agjencisë “Belga”, transporti publik mbetet sektori më i goditur, me paralizim të gjerë që pritet të zgjasë deri të mërkurën. Megjithë pengesat, një pjesë e qytetarëve i mbështesin grevistët dhe kërkesat e tyre.
“Unë i mbështes grevat, edhe pse nuk është situatë e lehtë për mua. Jam nënë dhe nesër duhet të gjej zgjidhje mes punës dhe kujdesit për fëmijët. Por mendoj se është e drejtë që njerëzit të thonë publikisht çfarë kërkojnë”, shprehet qytetarja Sarah Latré.
Edhe mësuesja Sofie Verschueren thotë se e përkrah protestën, pavarësisht vështirësive që krijon: “Duhet të shkoj në punë, por e mbështes grevën sepse reforma e pensioneve është shqetësuese. Megjithatë nuk dua të lë nxënësit vetëm”.
Pas grevës së hekurudhave të hënën, të martën protestës i janë bashkuar personeli spitalor, punonjësit e kopshteve dhe mësuesit në arsimin fillor e të mesëm. Në ditët e ardhshme pritet të grevojnë edhe punonjësit e shërbimeve postare, të pastrimit, mbledhjes së mbeturinave dhe transportit lokal.
Dita më e rënduar pritet të jetë e mërkura, kur grevës së përgjithshme mbarëkombëtare do t’i bashkohen edhe sindikatat e sektorit privat. Aeroportet kryesore të vendit, Bruksel–Zaventem dhe Charleroi, kanë njoftuar se nuk do të ketë nisje fluturimesh gjatë ditës së nesërme.
Në marrëveshjen e buxhetit të arritur me vështirësi, qeveria belge ka parashikuar kursime prej 9.2 miliardë eurosh deri në vitin 2029, masë e cila ka ndezur reagimin e sindikatave dhe ka çuar në protestat e kësaj jave.

