Egnatia rikthehet në fushë pas pauzës së kampionatit me synimin e qartë për të rifituar ritmin dhe për t’u kthyer te fitorja në sfidën ndaj Bylisit. Trajneri Edlir Tetova e konsideron këtë periudhë pushimi si mjaft pozitive për grupin, si në aspektin fizik, ashtu edhe në integrimin e afrimeve të reja. “Çdo pushim shërben për mirë. Lojtarët e rinj janë afruar më shumë me grupin dhe kjo na ndihmon në manovër gjatë lojës,” shprehet ai.
Megjithëse sfida pritet të jetë e vështirë, Tetova shfaqet i qetë dhe larg çdo presioni, duke theksuar se fokusi i tij dhe i skuadrës mbetet vetëm loja dhe kryerja e detyrave në fushë. “Presion nuk ka. Ne mendojmë për Egnatian dhe për lojën tonë. Detyra jonë është të shkojmë drejt portës me ide,” tha trajneri, duke nënvizuar se ekipi vjen pas një periudhe pozitive me nëntë ndeshje të mira dhe vetëm një rezultat negativ.
Trajneri vuri theksin edhe te problemi i finalizimit, një element që ka penalizuar skuadrën në javët e fundit, pavarësisht rasteve të shumta të krijuara. “Kemi punuar shumë para portës. Shqetësim është vetëm kur ekipi nuk shkon te porta, por edhe ky është një ngërç që do ta zgjidhim,” u shpreh Tetova, i cili kërkon përmirësime të mëtejshme në shpejtësinë e manovrës dhe në saktësinë e pasimeve.
Sa i përket afrimeve të reja, tekniku pranon se ato kanë ende nevojë për kohë, por progresi po shihet gradualisht. “Ka lojtarë që janë pak mbrapa në këtë pjesë, por po shohim gjëra të mira çdo ditë. Shpresoj t’i kapin ritmet sa më shpejt,” thotë ai.
Në aspektin fizik, Tetova siguron se ekipi është i përgatitur për ndeshjet e ngjeshura që e presin, sidomos në muajin janar. “Sigurisht që po. Kemi një grup lojtarësh që e përballojnë shumë mirë rotacionin. Po bëj rotacion në çdo ndeshje, sepse në janar ndeshjet do të shtohen edhe më shumë. Ne jemi gati për këtë situatë,” theksoi ai.
Në përfundim, trajneri i Egnatias është i qartë për objektivin e sfidës me Bylisin: “Jemi në një rrugë të mirë, por synimi është vetëm një – tre pikët.”

