Nga Sara Tarko
DIVJAKË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Prej 11 ditësh, qytetarët e Divjakës vijojnë protestën kundër projektit për riorganizimin administrativo-territorial, që parashikon bashkimin e Bashkisë Divjakë me Bashkinë Lushnjë.
Edhe në ditën e 11-të të protestës, kërkesa e banorëve mbetet e pandryshuar: Divjaka të mos shkrihet dhe të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë e qeverisjes vendore.
Protestuesit shprehen kundër çdo skenari që do të çonte në humbjen e bashkisë së tyre, duke argumentuar se Divjaka ka potenciale të mjaftueshme ekonomike, natyrore dhe njerëzore për të funksionuar si një bashki më vete.
Një nga argumentet kryesore të qytetarëve lidhet me potencialin ekonomik të zonës. Divjaka është një prej territoreve me rëndësi për bujqësinë, ndërsa sipas protestuesve, ekonomia lokale mbështetet gjithashtu te turizmi, agroturizmi dhe pasuritë natyrore.
Banorët i referohen veçanërisht pasurisë së jashtëzakonshme natyrore të territorit të Divjakës, ku ndërthuren zona bujqësore, pyjet, laguna dhe bregdeti. Ata përmendin grykëderdhjen e Shkumbinit, Pyllin e Kularit, Pyllin e Pishave, lagunën dhe vijën bregdetare, deri në zonën e grykëderdhjes së Semanit.
Sipas tyre, këto resurse përbëjnë një bazë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonës dhe, veçanërisht, për zgjerimin e mëtejshëm të turizmit dhe agroturizmit.
Në protestë janë dëgjuar zëra të ndryshëm të qytetarëve, të cilët kërkojnë që vendimmarrja për të ardhmen administrative të Divjakës të marrë në konsideratë edhe specifikat, resurset dhe potencialin e saj.
Protestuesit u kanë bërë thirrje edhe deputetëve që përfaqësojnë zonën që të dëgjojnë shqetësimet e banorëve dhe të mbështesin kërkesën e tyre për ruajtjen e Bashkisë Divjakë.
“Divjaka të mbetet bashki” është mesazhi që ka shoqëruar protestën gjatë këtyre 11 ditëve.
Edhe nata e 11-të e protestës është mbyllur me një marshim në rrugët e qytetit. Banorët kanë vijuar të përcjellin kërkesën e tyre përmes parullave dhe thirrjeve, duke deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë kundër çdo projekti që, sipas tyre, cenon statusin e Divjakës si bashki më vete.
Protesta pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa banorët kërkojnë që zëri i tyre të merret në konsideratë gjatë procesit të konsultimit publik për reformën administrativo-territoriale.


