Ndahet nga jeta orëndreqësi i famshëm i Librazhdit, Isak Xhaferri

Sot librazhdasit përcollën me nderime për në banesën e fundit Isak Xhaferrin, një prej zanatçinjve të vetëm orëndreqës të moshuar të këtij qyteti, që me punën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e tij në shërbim të klientëve u bë pjesë e historisë së këtij qyteti.

Shtatë vite më parë, Sami Xhaferri, njëri nga tre djemtë e Isak Xhaferrit, orëndreqësit më të famshëm që ka njohur Librazhdi, publikoi një postim prekës në rrjetet sociale, kushtuar babait të tij Isak Xhaferrit, i cili një jetë të tërë e kaloi në shërbim të njerëzve.

Ishte një dedikim për babain e tij, mjeshtrin e orëve, Isak Xhaferrin. Sot, kur ai nuk është më, ato fjalë marrin peshën e një amaneti të çmuar, sepse këtë fillim jave u nda nga jeta njeriu që i mësoi Librazhdit çfarë do të thotë art, durim dhe përkushtim.

Isak Xhaferri nuk ishte thjesht një zanatçi i zoti, ishte mjeshtër i lindur. Qindra e mijëra orë kanë kaluar nëpër duart e tij përgjatë dekadave, dhe bashkë me to edhe historitë e njerëzve.

Në çdo mekanizëm të hapur, në çdo rrotëz të rregulluar, në çdo orë që ringjallej si me magji, ishte shpirti e këtij njeriu që punonte me delikatesë, kujdes dhe një buzëqeshje që e njihte gjithë qyteti.

Por kontributi i Isak Xhaferrit nuk kufizohej vetëm te shërbimi ndaj komunitetit. Ai ishte edhe një edukator i vërtetë i zanatit.

Gjatë dhjetëra viteve, në dyqanin e tij të vogël janë formuar dhjetëra zanatçinj të rinj, të cilëve ai u ka mësuar jo vetëm teknikat e orëndreqjes, por edhe kulturën e punës, respektin për klientin, përgjegjësinë dhe dashurinë për profesionin. Ai ishte një shkollë më vete, një mjeshtër që e ruajti dhe e përcolli trashëgiminë e orëndreqjes si një art të çmuar.

Kjo trashëgimi sot vazhdon me dinjitet nga djali i tij, Beni, i cili e ka marrë profesionin e të atit jo vetëm si punë, por si mision. Në duart e Benit, zanati i familjes Xhaferri vazhdon të jetojë, të rritet e të nderohet, ashtu siç do të donte Isaku.

Mesditën e kësaj të marte, Librazhdi e përcolli me nderime mjeshtrin e vet të madh në banesën e fundit. Ishte një përcjellje e heshtur, e dhimbshme, por plot mirënjohje. Një qytet i tërë uli me nderime kokën përballë historisë së këtij njeriu që i shërbeu me zemër, që la gjurmë në çdo familje, në çdo shtëpi, në çdo orë që rikthehej në jetë prej tij.

Isak Xhaferri nuk ishte vetëm mjeshtri e rregulluesi i orëve, ai ishte rregullues i kohës së njerëzve, i kujtimeve, i momenteve të jetës. Nga sot ai pushon në paqe, por tik-taku i punës dhe i shpirtit të tij do të dëgjohet gjatë në kujtesën e djemve, vajzës, familjarëve, Librazhdit dhe librazhdasve.

Pusho në paqe, mjeshtër Isak Xhaferri. Librazhdasit do të të kujtojnë përherë, jo vetëm si zanatçiun më të famshëm, por edhe si qytetarin, prindin e familjarin dinjitoz.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME