TIRANË , 3 nëntor 2026 / Albania Express News /-Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku në fokus ishte siguria euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit mes vendeve aleate dhe roli i Shqipërisë në kuadër të Aleancës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Agjencia për Media dhe Informim, gjatë takimit u diskutua për sfidat e sigurisë, veçanërisht kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Palët vlerësuan rëndësinë e një bashkërendimi më të madh mes vendeve anëtare për përballimin e këtyre rreziqeve.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte zhvillimi i Korridorit VIII si një korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe konsiderohet i rëndësishëm për lëvizshmërinë dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s në krahun juglindor. Në këtë kuadër u diskutua edhe projekti i Porto Romanos dhe potenciali i tij për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore e logjistike në mbështetje të Aleancës.

