TIRANË, 31 maj 2026 /Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian si momentin më të rëndësishëm në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka hyrë në etapën e fundit drejt anëtarësimit të plotë në familjen europiane.

Në episodin 21, sezoni 6 të podkastit “FLASIM”, Rama u ndal sot te zhvillimet kryesore të javës, duke vënë në fokus avancimin e procesit të integrimit europian dhe objektivin për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027.

“Javën që lamë pas, pikërisht më 26 maj, si për një ironi apo buzëqeshje të fatit, 30 vjet pas 26 majit të dhunës, të përgjakjes së opozitës, të grabitjes së votave dhe të vulosjes së një sundimi autokratik me tipare diktatoriale në Shqipëri, erdhëm në ditën kur Shqipëria hyri në fazën e re dhe të fundit të rrugëtimit të saj europian, duke mbyllur fazën e çeljes së kapitujve të negociatave dhe duke hapur fazën e mbylljes së tyre”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se vendi është ngjitur në pikën më të lartë të procesit të integrimit që prej nisjes së këtij rrugëtimi.

“Pra, më 26 maj, Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë në këtë të përpjetë të mundimshme historike dhe tanimë maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe duke i dhënë sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian, është më afër se asnjëherë”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, ky zhvillim përbën një certifikim të reformave të ndërmarra ndër vite dhe të transformimeve të thella të realizuara në vend.

“Është një moment jashtëzakonisht kuptimplotë i kësaj rruge drejt anëtarësimit dhe është, në të njëjtën kohë, edhe një certifikim absolut i një pune të palodhur të një kohe të gjatë. Është një moment që sigurisht vjen me shumë kënaqësi, por njëkohësisht vjen edhe me shumë përgjegjësi”, tha Kryeministri.

Ai nënvizoi se procesi i integrimit nuk lidhet vetëm me negociatat, por me konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e institucioneve demokratike.

“Ky nuk është thjesht një sukses në rrugën e negociatave dhe kjo nuk është një datë në kalendarin e integrimit, por është një rezultat i transformimeve të thella që vendi ynë ka bërë në dekadën e fundit, i reformave tejet të vështira e sfiduese, i konstatimit se institucionet tanimë janë ngritur, por njëkohësisht edhe i domosdoshmërisë për të konsoliduar shtetin ligjor, për të konsoliduar hapësirën e lirive individuale dhe për të konsoliduar atë që është thelbi, përpjekja për barazi përpara ligjit”, theksoi Rama.

Duke iu referuar vlerësimeve të Bashkimit Europian, Kryeministri tha se Shqipëria ka përmbushur me sukses detyrimet e deritanishme në fusha kyçe.

“Është domethënëse që Bashkimi Europian konfirmon faktin e përmbushjes së suksesshme të të gjitha detyrave të deritanishme, pikërisht në ato fusha që lidhen me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit dhe me funksionimin e institucioneve demokratike”, u shpreh ai.

Rama bëri të ditur se tashmë vendi hyn në fazën më sfiduese të procesit, me një kalendar të dakordësuar me Komisionin Europian.

“Kjo fazë e fundit nuk është më e lehta, por është më e vështira, për të cilën kemi një kalendar të dakordësuar me Komisionin Europian, që të arrijmë me sukses mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Kemi një hapësirë të ndërmjetme në vitin 2028 dhe kemi objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030”, deklaroi Kryeministri Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Vaksina që zhduk të gjitha tumoret/ Injeksioni “amivantamab” jep rezultate të papara te pacientët

BOTA,31 maj 2026/Albania Express News/Mjekët kanë përshëndetur rezultatet e...

Ethe deri në sekondën e fundit! Kombinimet e çmendura që vendosin titullin sonte: Kush shpallet kampion i Shqipërisë?

TIRANË,31 maj 2026/Albania Express News/Kampionati më i paparashikueshëm i...

Shqiptarët bashkohen në Malin e Zi/ Historike në Tuz, tre parti shqiptare unifikohen në një subjekt të vetëm politik

TIRANË,31 maj 2026/Albania Express News/Një zhvillim me rëndësi të...