MALLAKASTËR , 04 gusht 2026/Albania Express News/-Operacioni për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor të fshatit Rriban, në Bashkinë Mallakastër, vijon me intensitet të lartë, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta nga strukturat e emergjencës dhe Forcat e Armatosura për të vënë nën kontroll vatrën aktive.
Sipas informacionit të bërë publik nga Ministria e Mbrojtjes, ndërhyrja po zhvillohet njëkohësisht nga toka dhe nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.
Në operacion janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse dhe efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si edhe strukturat vendore të Bashkisë Mallakastër, të cilat po punojnë pa ndërprerje në terren.
Në mbështetje të tyre janë dislokuar edhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri po operojnë një helikopter dhe një avion i FA-së, që po kryejnë hedhje të vazhdueshme uji në zonat më problematike për të frenuar avancimin e flakëve.
Operacioni është përforcuar gjithashtu me forca dhe mjete zjarrfikëse të ardhura në ndihmë nga bashkitë Fier, Patos, Roskovec dhe Berat, duke krijuar një front të përbashkët për përballimin e emergjencës.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se ndërhyrja po zhvillohet në koordinim të plotë mes strukturave të Mbrojtjes Civile, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcave të Armatosura dhe njësive të qeverisjes vendore.
Objektivi kryesor i operacionit mbetet izolimi dhe shuarja sa më e shpejtë e vatrës së zjarrit, si dhe minimizimi i rrezikut për banesat, pasuritë dhe mjedisin në zonën e prekur.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën në terren, ndërsa ekipet operacionale mbeten të angazhuara deri në neutralizimin e plotë të zjarrit.

