ELBASAN, 14 prill/Albania Express News/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se vizioni “Elbasani 2030” është pjesë integrale dhe udhëheqëse e një projekti më të madh, siç është ai i “Shqipërisë evropiane 2030”.
Në aktivitetin e organizuar në Elbasan, Samiti për Klimën, Koçiu tha se qyteti po përjeton një transformim të rëndësishëm, veçanërisht në turizëm, falë projekteve si rijetëzimi i kalasë dhe zhvillime të tjera infrastrukturore.
Sipas Koçiut, ndryshimi më i madh lidhet me ambicien për ta kthyer Elbasanin në një model zhvillimi të qëndrueshëm, duke e afruar me standardet e qyteteve evropiane.
“Projektet e reja nga bajpasi i Elbasanit tek autostrada e projektuar Elbasan-Lekaj, si dhe përfundimi i Korridorit 8 po e vendosin qytetin në një pozicion krejtësisht të ri strategjik. Së dyti, një transformim industrial, nga rrënojat e ish-Metalurgjikut që e falimentoi Elbasanin me ndotjen dhe ku sot ndërtohet një park industrial kombëtar i orientuar drejt prodhimit modern, inovacionit dhe teknologjisë”, vijoi ajo.
Zëvendëskryeministrja Koçiu, shtoi se në Elbasan po shihet edhe një transformim turistik që nis nga rijetëzimi i kalasë, tek automotoparku, e deri tek atraksionet turistike si Funari apo Gjinari, në gjithë qarkun, duke e pozicionuar Elbasanin fuqishëm në tregun turistik.
“Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, por transformimi më i madh dhe më domethënës është ai që na ka mbledhur këtu sot, ku ambicia nis të kthehet në realitet. Nuk ka shumë lista të tjera, asnjë renditje tjetër, asnjë ambicie tjetër, ku Elbasani të qëndrojë krah qyteteve të tjera si Amsterdami, Mynihu, Roma, Milano, Zagrebi apo Madridi. E vetmja listë ku ai është krah tyre është kjo e mbi 100 qyteteve evropiane, ku po zbatohet misioni i BE-së për qytetet e zgjeruara dhe neutrale për klimën”, tha Koçiu.
Koçiu nënvizoi se “Elbasani është mes tre qyteteve të vetme në Ballkanin Perëndimor, dhe i vetmi jo kryeqytet që ka marrë përsipër këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme”.
“Qytet i zgjeruar dhe neutral, në praktikë do të thotë në realitet përdorim i gjerë i energjisë diellore dhe burimeve alternative në shkolla dhe ndërtesa publike, transport publik që nuk ndot, transformim i zonave, përmirësim i eficiencës energjetike në të gjithë vendin dhe kjo sjell në praktikë partneritet me qytetet evropiane dhe perspektivë të gjelbër”, tha Koçiu.
Koçiu theksoi se “Qeveria shqiptare duke mbështetur një Elbasan të zgjeruar, provon se me politikat e saj qëndron përtej pragmatizmit që kërkohet nga Evropa për të mbyllur negociatat”.
“Për ne është e qartë që ky proces transformimi ku ndodhemi e bëjmë në radhë të parë për veten tonë, ndërsa bëhen detyrat e shtëpisë gjatë negociatave të BE-së. Jemi të ndërgjegjshëm që janë ato detyra që duhet t’i bëjmë për veten tonë, jo se na i kërkon BE, por ato janë standardet për të qenë pjesë e familjes evropiane”, tha Koçiu.
Zëvendëskryeministrja shtoi se konferenca “Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit” konfirmon angazhimin dhe rrugëtimin e qytetit drejt neutralitetit klimatik, duke synuar të shërbejë si model inovacioni dhe transformimi për qytetet e tjera deri në vitin 2050.

