TIRANË, 27 gusht 2026 / Albania Express News / – Zërat politikë se Grida Duma mund të jetë një nga emrat e konsideruar për postin e zv.kryeministres kanë nxitur reagime dhe diskutime në radhët e politikës shqiptare.
Një reagim lidhur me këtë çështje ka ardhur edhe nga Aida Hoxholli, e cila përmes një postimi në faqen e saj zyrtare ngre një debat më të gjerë mbi mënyrën se si përzgjidhen figurat për poste të rëndësishme në qeverisje dhe raportin mes profesionalizmit, meritokracisë dhe kontributit politik.
Hoxholli thekson se, nëse lajmi për Grida Dumën është i vërtetë apo thjesht një thashethem politik, këtë do ta tregojë koha. Megjithatë, ajo e shfrytëzon këtë zhvillim për të ngritur pyetjen se përse vitet e fundit persona me profil apo të kaluar politike të djathtë kanë marrë poste të rëndësishme në qeverisje dhe institucione.
Sipas saj, nuk ka asgjë të gabuar që një profesionist të vlerësohet pavarësisht bindjeve apo prejardhjes politike, pasi profesionalizmi duhet të ketë peshë. Në këtë kontekst, ajo sjell si shembuj edhe Gent Cakajn dhe Besa Shahinin, dy profesionistë nga Kosova që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë shqiptare.
“Problemi im nuk është se nga vijnë ata që emërohen, pyetja është pse harrohen kaq shpesh ata që kanë kontribuar aty prej vitesh”, shprehet Hoxholli.
Në qendër të reagimit të saj është pozita e socialistëve që, sipas saj, kanë kontribuar për vite me radhë në Partinë Socialiste, duke mbështetur forcën politike në periudha të ndryshme dhe duke investuar profesionalisht e politikisht në të.
Hoxholli argumenton se në radhët e PS-së ka shumë profesionistë dhe intelektualë që kanë kontribuar prej vitesh, por që mund të ndihen të anashkaluar përballë emërimeve të personave që nuk kanë pasur një histori të gjatë brenda strukturave të partisë.
Ajo sqaron se kjo nuk duhet parë si një kërkesë që postet publike të shpërndahen si “shpërblime partie”, por si një çështje që lidhet me drejtësinë dhe meritokracinë.
“Tesera e partisë nuk duhet të jetë biletë për një post, por as kontributi shumëvjeçar nuk mund të vlejë zero”, shkruan ajo.

Më tej, Hoxholli ngre një tjetër pikëpyetje: çfarë motivimi mbetet për një anëtar apo kontribues të një force politike që punon për 10, 20 apo 30 vite, nëse në fund përvoja dhe kontributi i tij nuk merren në konsideratë përballë emërimeve të njerëzve të ardhur nga jashtë?
Sipas saj, një parti që hap dyert për figura të reja duhet të dijë njëkohësisht të vlerësojë edhe njerëzit që kanë kontribuar për vite me radhë.
“Të sjellësh njerëz nga jashtë mund të jetë hapje. Të harrosh njerëzit e tu, nuk është meritokraci”, shprehet Hoxholli.
Në fund të reagimit, ajo e lidh mesazhin e saj me simbolin e Partisë Socialiste, trëndafilin, duke përdorur një metaforë për kontributin e militantëve dhe mbështetësve të hershëm të kësaj force politike.
“Meritokracia është e domosdoshme, por memoria politike po aq. Sepse në fund, kontributi nuk mund të kujtohet vetëm kur duhen votat”, shkruan ajo.
Postimi mbyllet me një mesazh mbështetës për socialistët që, sipas saj, kanë kontribuar, kanë qëndruar dhe kanë besuar në PS ndër vite.
“Trëndafili është simboli i PS-së… duhet vaditur që të shtohet, sepse ata që e kanë ujitur trëndafilin për vite, meritojnë të mos harrohen”, përfundon Aida Hoxholli.
Deri në këtë moment, zërat për një emërim të Grida Dumës në postin e zv.kryeministres mbeten në kuadër të diskutimeve dhe spekulimeve politike, në pritje të çdo konfirmimi zyrtar.
Gjithsesi Grida Duma do e bëj patjetër shumë shpejt një reagim publik për tu dhënë një përgjigje të gjithëve rreth këtij debati të “fortë” për rikthimin ose jo të saj në politikë këtë vjeshtë apo në një kohë më të përshtatshme për të . 

