RROGOZHINË ,29 korrik 2026/Albania Express News/-Aventura e Egnatias në arenën më elitare të futbollit evropian, Ligën e Kampionëve, u mbyll me një fund dramatik.
Rrogozhinasit u mposhtën nga sllovenët e Celjes pas lotarisë së 11-metërshave në ndeshjen e kthimit të turit të dytë kualifikues, duke u detyruar t’i thonë lamtumirë këtij kompeticioni. Megjithatë, ëndrra evropiane është ende e gjallë për kampionët e Shqipërisë.
Fokusi i të besuarve të Nevil Dedes zhvendoset menjëherë në Europa League, ku do të zbresin në fushë për fazën e tretë kualifikuese. Kundërshtari i radhës është ekipi irlandez i Shamrock Rovers, të cilët vijnë në këtë përballje pas eliminimit të tyre nga Championsi prej Ararat Armenia.
Lajmi i madh për rrogozhinasit është siguria që ofron formati i ri evropian. Edhe në skenarin më të keq, atë të një disfate përballë irlandezëve, Egnatia e ka tashmë “në xhep” kalimin në fazën “play-off” të UEFA Conference League. Kjo do të thotë se shanset për të shkruar historinë dhe për të prekur fazën e grupeve mbeten mëse reale.

