GRAMSH ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë Gramsh ka zhvilluar një tjetër ditë intensive në luftën kundër zjarreve, duke ndërhyrë në tre vatra të ndryshme brenda pak orësh dhe duke parandaluar përhapjen e flakëve në zona me rëndësi natyrore.
Sipas informacionit zyrtar të publikuar nga shërbimi zjarrfikës, ndërhyrja e parë nisi që në orën 04:00 të mëngjesit në zonën e Janç Malit, në kufirin mes Gramshit dhe Beratit. Ekipet zjarrfikëse të Gramshit punuan në bashkëpunim me kolegët e Shërbimit Zjarrfikës të Beratit për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen e tyre në sipërfaqe të tjera pyjore.

Ndërkohë që operacioni në Janç Mal vijonte ende, zjarrfikësit u detyruan të përballeshin me një vatër të dytë zjarri në Grabovë, mbi zonën e Moçaleve, në rrugën që të çon drejt vendit të njohur si “Varri i Plakës”, në kufirin me Pogradecin. Kjo vatër ndodhej në një terren të vështirë malor, rreth 2,000 metra mbi nivelin e detit, çka e bëri ndërhyrjen edhe më sfiduese për efektivët.
Në të njëjtën kohë u raportua edhe një zjarr i tretë në zonën e Vidhanit, poshtë përballë Kërpicës, duke vënë në provë kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, i cili u angazhua njëkohësisht në disa fronte.

Falë reagimit të shpejtë, përkushtimit dhe sakrificës së efektivëve, të tre vatrat e zjarrit u përballuan me sukses, duke shmangur pasoja edhe më të mëdha për pyjet, kullotat dhe zonat përreth.
Pas kësaj dite të lodhshme, Shërbimi Zjarrfikës i Gramshit u ka drejtuar një apel të fortë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj rasteve të zjarrvënies. Autoritetet kërkojnë që çdo person që konstaton individë duke ndezur zjarre apo duke rrezikuar sipërfaqet pyjore, t’i denoncojë menjëherë tek institucionet përgjegjëse.

Zjarrfikësit theksojnë se çdo pemë e djegur përbën një humbje të madhe për natyrën, ndërsa çdo zjarr i qëllimshëm rrezikon jetën e njerëzve, pronat dhe të ardhmen e brezave që do të vijnë.
“Ne do të jemi gjithmonë në vijën e parë për t’i shuar flakët. Ju na ndihmoni që ato të mos ndizen”, është mesazhi që Shërbimi Zjarrfikës i Gramshit përcjell për të gjithë qytetarët, duke kërkuar bashkëpunim maksimal në mbrojtje të pasurisë natyrore gjatë kësaj periudhe me rrezik të lartë për zjarre.




