Partizani do të zbresë të hënën e ardhshme në transfertën ndaj AF Elbasanit pa trajnerin e tij në stol. Oltijon Kërnaja është pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Vllaznisë, duke u ndëshkuar me dy të verdha dhe do ta ndjekë sfidën nga tribuna.
Ndeshja, e planifikuar për të hënën, më 13 prill, dhe e vlefshme për javën e 31-të të Abissnet Superiores, vjen në një moment delikat për të kuqtë, të cilët kërkojnë rikthimin te fitorja.
Në mungesë të Kërnajës, drejtimin e ekipit në fushë do ta marrë Realf Zhivanaj. Ky i fundit nuk është i panjohur në këtë rol, pasi ka drejtuar më parë Partizanin edhe në transfertën ndaj Teutës në Durrës. Për më tepër, Zhivanaj mban një rekord të veçantë në elitën e futbollit shqiptar, si trajneri më i ri që ka debutuar ndonjëherë në Abissnet Superiore.
Në stafin teknik do të vijojë të japë kontributin e tij edhe Kushtrim Voka, trajneri i portierëve, i cili ka eksperiencë edhe në rolin e video-analistit, duke garantuar mbështetje të plotë për skuadrën në këtë sfidë të rëndësishme.
Partizani aktualisht renditet në vendin e katërt në kampionat, vetëm një pikë më shumë se Dinamo që e ndjek nga pas. Forma e fundit e skuadrës është shqetësuese, pasi të kuqtë vijnë pas tre ndeshjesh pa fitore, çka e bën edhe më të domosdoshëm reagimin për të mos rrezikuar zonën europiane.
Sfida ndaj AF Elbasanit pritet të jetë një test i rëndësishëm për karakterin e ekipit, që do të duhet të tregojë forcë dhe stabilitet edhe pa trajnerin në stol.

