Nga Fatmir Popja
Fatkeqësia natyrore me përmasa të pazakonta që goditi një pjesë të madhe të zonave rurale në bashkinë e Gramshit, ka lënë pas një panoramë shkatërrimi total.
Dhjetra shtëpi janë shkrumbuar, dy fshatra duken thuajse të zhdukur pothuajse plotësisht nga harta, qindra hektarë pyje janë djegur dhe mbi 200 banorë u evakuuan për shkak të rrezikut të madh për jetën.

Bilanci i përkohshëm i kësaj tragjedie është një humbje jete dhe tetë të lënduar nga flakët e furishme që “pushtuan” dje rreth dhjetë fshatra të kësaj zone. Ngjarja dramatike nisi pak pas mesditës së së martës, kur 80-vjeçari, Bato Zhupani, banor i fshatit Kullollas, i cili dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e shtëpisë së tij.
Në pak minuta, flakët dolën jashtë kontrollit duke u përhapur me shpejtësi në zonën përreth,për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë.

Fatkeqësisht, i moshuari nuk mundi të largohej në kohë dhe humbi jetën në vend nga asfiksia.
Policia e Elbasanit dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, janë duke zhvilluar hetime intensive për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Fshatrat Kullollas, Kodovjat, Shemberdhenje dhe të tjerë përreth janë përfshirë nga flakët që, sipas dëshmitarëve, janë përhapur me një shpejtësi marramendëse.
Në total, dhjetë fshatra janë përfshirë nga zjarret, duke e kthyer të gjithë zonën në një zonë lufte.

Dëmet janë të jashtëzakonshme,shtëpi të rrafshuara nga zjarri, bagëti të djegura, pemëtari e shkatërruar, tokë bujqësore e përvëluar.
Ndër objektet me vlerë historike që kanë rënë pre e flakëve është edhe Teqeja e Shemberdhenjes, një monument që mbante gjallë trashëgiminë shpirtërore të banorëve të zonës.

Pasojat në njerëz mund të ishin edhe më tragjike, por në të gjitha fshatrat e prekur jetojnë shumë pak familje dhe ato janë kryesisht me 2-3 anëtarë.
Me urdhër të menjëhershëm të Ministrisë së Mbrojtjes, që pres ditës së djeshme janë vënë në gadishmëri të lartë të gjitha forcat shtetërore për menaxhimin e situatës.

Katër helikopterë, përfshirë dy Cougar janë angazhuar në operacione ajrore për shuarjen e zjarreve në zonat më të paarritshme për zjarrfikëset tokësore.
Forcat e Zjarrfikëses, Emergjencat Civile, ushtria, Policia e Shtetit dhe vullnetarë janë angazhuar me intensitet të plotë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të shpëtuar jetë njerëzish.

Ndërkohë, 200 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë sistemuar përkohësisht në hotele ose në palestra sportive, ku janë shpërndarë mbi 160 pako kampingu të marra nga rezervat e shtetit.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se do të vazhdojë koordinimin e plotë me pushtetin vendor dhe njësitë operacionale në terren, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Pavarësisht tragjedisë, autoritetet, sapo situata të normalizohet, do fillojnë menjëherë vlerësimin e dëmeve dhe përgatitjet për një plan emergjent rindërtimi dhe kompensimi të familjeve të prekura nga kjo katastrofë dhe shresohet që asnjë banor nuk do të mbetet pa strehë dhe se do të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të rikthyer jetën normale në zonë.
Gjithashtu, është apeluar për kujdes maksimal nga qytetarët në përdorimin e zjarrit në hapësira të hapura, duke theksuar se çdo pakujdesi mund të rezultojë fatale.

Në këtë moment të vështirë, kërkohet solidaritet kombëtar për të ndihmuar qytetarët e prekur nga tragjedia në Gramsh.
Për familjet e prekura nga kjo fatkeqësi janë të mirëpritura ndihma materiale, mbështetje logjistike dhe angazhimi i organizatave humanitare në terren për përballimin e pasojave të rënda.


