BELSH ,02 shtator 2026 / Albania Express News /-Tre institucione arsimore në Bashkinë Belsh janë pajisur me sisteme fotovoltaike, duke bërë një hap konkret drejt përdorimit të energjisë së pastër dhe uljes së kostove të energjisë elektrike.
Bëhet fjalë për Gjimnazin “Sami Frashëri”, shkollën 9-vjeçare “Halit Uruçi” dhe shkollën 9-vjeçare “Ramadan Kasa” në Seferan, të cilat tashmë prodhojnë energji përmes paneleve diellore.
Ky investim është rezultat i një pune të përbashkët për sigurimin e financimit dhe realizimin e projektit, duke sjellë një zgjidhje të qëndrueshme për nevojat energjetike të shkollave.
Përdorimi i sistemeve fotovoltaike pritet të ulë shpenzimet për energjinë elektrike, duke krijuar mundësi që fondet e kursyera të orientohen drejt nevojave të tjera të institucioneve arsimore. Në të njëjtën kohë, investimi kontribuon në reduktimin e përdorimit të energjisë nga burime tradicionale dhe në krijimin e një mjedisi më të pastër e më të qëndrueshëm për nxënësit dhe komunitetin.
Investimet në infrastrukturën arsimore po shoqërohen kështu edhe me zgjidhje të gjelbra, duke e afruar Belshin hap pas hapi me një model më eficient, ekonomik dhe miqësor me mjedisin.

