NGA FATMIR POPJA
PRRENJAS ,24 korrik 2026/Albania Express News/-Një tjetër promovim i jashtëzakonshëm i bukurive natyrore të Shqipërisë po bën jehonë në rrjetet sociale ndërkombëtare. Këtë herë është tiktokeri amerikan Will Sallen, i njohur për pasionin e tij ndaj Shqipërisë dhe për faktin se flet një shqipe të pastër e të rrjedhshme, i cili ka publikuar një video mbresëlënëse kushtuar një prej thesareve më të rralla natyrore të vendit tonë.
Ai e ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në 2022 dhe i ka pëlqyer aq shumë sa e ka mësuar edhe gjuhen shqipe me shumë dashuri dhe së fundi po e mëson edhe e fejuara e tij.

Videoja, e realizuar me pamje spektakolare nga Ervis Topollaj, sjell në qendër të vëmendjes Pyjet e Lashta të Ahut në Rrajcë, një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë dhe të gjithë kontinentit evropian. Me një rrëfim të ngrohtë dhe plot emocion në gjuhën shqipe, Will Sallen i udhëheq ndjekësit e tij në një udhëtim magjik mes pyjeve shekullore, peizazheve alpine dhe liqeneve akullnajore të Parkut Kombëtar Shebenik, duke promovuar një destinacion që mbetet ende pak i njohur për shumë turistë.
Në video theksohet rëndësia e jashtëzakonshme e Pyjeve të Lashta të Ahut në Rrajcë të Prrenjasit, të cilat përbëjnë një seksion integral të lokacionit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s “Pyjet e Lashta dhe Primare të Ahut të Karpateve dhe Rajoneve të tjera të Evropës”.
Këto pyje janë vlerësuar ndërkombëtarisht për natyrën e tyre të paprekur, biodiversitetin e pasur, ekosistemet unike dhe rëndësinë shkencore që mbartin për studimin e evolucionit natyror të pyjeve evropiane. Ato përfaqësojnë një laborator të gjallë të natyrës, ku ruhen specie të rralla të florës dhe faunës, duke e kthyer këtë zonë në një nga pasuritë më të vyera të Shqipërisë.
Gjatë guidës në Rrajcë dhe në Parkun Kombëtar Shebenik ai është shoqëruar nga Ardit Facja , një nga promovuesit kryesorë të destinacioneve turistike të bashkisë së Prrenjasit.

Udhëtimi i Will Sallen në Bashkinë e Prrenjasit nis në fshatin Gjashtë Lis, një vend i rrethuar nga natyra dhe mikpritja tradicionale shqiptare. Stacioni i tij i parë është Bujtina Lisi, ku ai ishte i ftuar special nga pronari Andi Lisi, i cili i prezantoi traditat dhe kulturën e zonës. Atmosfera familjare, bujaria dhe mikpritja e banorëve krijojnë menjëherë përshtypjen se Rrajca nuk ofron vetëm peizazhe të mrekullueshme, por edhe njerëz me zemër të madhe.
Gjatë rrëfimit të tij, amerikani ndalet edhe te historia e lavdishme shqiptare. Ai u flet ndjekësve për heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke kujtuar Betejën e Domosdovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të rezistencës shqiptare ndaj Perandorisë Osmane.

Po ashtu, ai përmend me krenari edhe fshatin Rrajcë Skënderbej, duke e lidhur historinë e kësaj treve me figurën më të shquar të kombit shqiptar.
Më pas udhëtimi vijon drejt Shesh Dardhës, një nga zonat më piktoreske të Parkut Kombëtar Shebenik, ku natyra shfaqet në formën e saj më të egër dhe më të bukur. Pamjet ajrore dhe ato tokësore të realizuara nga Ervis Topollaj zbulojnë pyje të pafundme, livadhe alpine, burime kristalore dhe panorama që të lënë pa frymë.
Një nga momentet më emocionuese të videos është prezantimi i liqeneve akullnajore të Rrajcës, të krijuara mijëra vjet më parë nga proceset akullnajore. Të vendosura mes maleve të larta të Parkut Kombëtar Shebenik, këto liqene përfaqësojnë një nga mrekullitë natyrore më të rralla të Shqipërisë.

Ujërat e kthjellëta, peizazhi alpin dhe qetësia që mbizotëron në këtë zonë krijojnë një atmosferë magjepsëse, duke e bërë destinacionin ideal për alpinistët, fotografët e natyrës dhe turistët që kërkojnë përvoja autentike.
Gjatë gjithë videos, Will Sallen nuk fsheh emocionet dhe admirimet e tij për natyrën shqiptare. Me një shqipe të rrjedhshme, ai rrëfen çdo ndalesë me pasion, duke e bërë publikun ndërkombëtar të ndihet pjesë e këtij udhëtimi unik. Fjalët e tij janë një ftesë e hapur për të vizituar Rrajcën, Parkun Kombëtar Shebenik dhe gjithë destinacionet turistike në Bashkinë e Prrenjasit, një zonë që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion i turizmit të aventurës dhe ekoturizmit.

Videoja mbyllet me një moment tepër emocionues. Pasi falënderon nga zemra banorët e Rrajcës për mikpritjen, bujarinë dhe dashurinë me të cilën e pritën, Will Sallen përcjell një mesazh që ka prekur mijëra ndjekës: “Rroftë Shqipëria!”
Ky publikim është një një promovim i fuqishëm ndërkombëtar për një nga pasuritë më të rralla natyrore të vendit. Pamjet spektakolare të realizuara nga Ervis Topollaj, të kombinuara me rrëfimin plot dashuri të Will Sallen për Shqipërinë, shndërrohen në një kartolinë të gjallë që fton botën të zbulojë bukuritë e Rrajcës, Parkut Kombëtar Shebenik dhe thesaret natyrore që Shqipëria ka për t’i ofruar çdo vizitori.









