KOLUMBI ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Tërmeti me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë të hënën konsiderohet një ngjarje e pazakontë për këtë zonë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se thellësia e lëkundjeve dhe struktura tektonike e rajonit mund të kenë ndikuar në përhapjen e tyre në distanca të mëdha.
Për kreun e Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, Fabio Florindo, një tërmet i kësaj fuqie nuk ishte i pritshëm në këtë zonë të Kolumbisë. Edhe pse bregdeti perëndimor i Amerikës së Jugut konsiderohet një nga rajonet me aktivitet të lartë sizmik, të dhënat historike tregojnë se ngjarje të tilla janë të rralla.
Që nga viti 1950, në një rreze prej rreth 250 kilometrash nga epiqendra e tërmetit të fundit, janë regjistruar vetëm dy ngjarje me intensitet të njëjtë ose më të madh.
Kolumbia përshkohet nga tri vargmale të Andeve dhe tërmetet më të vogla nuk janë të pazakonta. Megjithatë, historikisht, fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse në vend nuk kanë qenë tërmetet, por rrëshqitjet e dheut. Një nga tragjeditë më të rënda ishte katastrofa e Armeros në vitin 1985, ku humbën jetën rreth 25 mijë persona.
Thellësia e tërmetit, faktor që ndikoi në përhapjen e lëkundjeve
Tërmeti i fundit është regjistruar në një thellësi prej rreth 100 kilometrash. Sipas ekspertëve, kjo thellësi nuk do të thotë domosdoshmërisht se fuqia e lëkundjeve në sipërfaqe është më e vogël.
Përkundrazi, thellësia mund të ndikojë që valët sizmike të përhapen më lehtë nëpër shtresat gjeologjike dhe të arrijnë distanca të mëdha.
“Arritja e magnitudës 7.4 do të thotë se një fuqi e jashtëzakonshme u çlirua me shpejtësi drejt sipërfaqes”, shprehet Florindo.
Çarje tektonike prej të paktën 110 kilometrash
Sipas të dhënave paraprake të ekspertëve, brenda pllakës së Nazkës, e cila shtrihet nga Oqeani Paqësor dhe zhytet nën pllakën e Amerikës së Jugut, mund të jetë krijuar një çarje e madhe tektonike.
Çarja vlerësohet të ketë një gjatësi prej të paktën 110 kilometrash, çka mund të ndikojë që aktiviteti sizmik në rajon të vijojë edhe për një periudhë të gjatë.
Ekspertët e konsiderojnë tërmetin e fundit një ngjarje të pazakontë për rajonin, ndërsa vijojnë analizat për të kuptuar më në detaje mekanizmin tektonik që shkaktoi lëkundjet.

