TIRANË ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Popullsia e Shqipërisë shënoi shtesë natyrore pozitive në tremujorin e dytë të vitit 2026, me 218 lindje më shumë se vdekje, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga INSTAT.
Gjatë periudhës prill-qershor u regjistruan 5083 lindje, 3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërkohë, numri i vdekjeve ishte 4865, duke shënuar një rënie prej 3,7% në raport me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
Të dhënat sipas qarqeve tregojnë një diferencë të theksuar demografike. Pesë qarqe regjistruan shtesë natyrore pozitive, ndërsa shtatë qarqe patën më shumë vdekje se lindje.
Tirana kryeson me shtesën natyrore më të lartë, me 1033 lindje më shumë se vdekje. Në të kundërt, Korça regjistroi shtesën natyrore më të ulët, me 265 vdekje më shumë se lindje.
Tirana regjistroi edhe numrin më të lartë të lindjeve, me 2310 raste, ndërsa Gjirokastra numrin më të ulët, me 66 lindje. Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, nëntë qarqe shënuan rritje të lindjeve dhe tre ulje.
Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve e regjistroi Dibra, me 14,6%, ndërsa rënia më e fortë u shënua në Tiranë, me 12%.
Sa i përket vdekjeve, numri më i lartë u regjistrua në Tiranë, me 1277 raste, ndërsa më i ulëti në Kukës, me 97 raste. Durrësi shënoi rritjen më të madhe të vdekjeve, me 10,4%, ndërsa Kukësi regjistroi rënien më të fortë, me 22,4%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.

