Një mbrëmje për t’u mbajtur mend në Kategorinë Superiore! Elbasani ka dhuruar një paraqitje heroike duke mposhtur Partizanin me rezultatin e thellë 3-0, edhe pse luajti për plot 70 minuta me një futbollist më pak.
Sfida e javës së 31 nisi me ritëm të lartë dhe raste në të dyja portat. Elbasani provoi i pari me Ze Gomes, ndërsa Partizani reagoi me Sidibe, duke paralajmëruar një duel të fortë. Por gjithçka ndryshoi në minutën e 20, kur kapiteni Emiliano Musta u ndëshkua me karton të kuq si lojtari i fundit, pas ndërhyrjes së VAR-it që përmbysi vendimin fillestar të arbitrit.
Tensioni nuk mungoi as në tribuna, ku ndeshja u ndërpre për disa minuta për shkak të hedhjes së sendeve në fushë. Ishte Kasa që mori përgjegjësinë si kapiten për të qetësuar tifozët dhe për të rikthyer normalitetin në lojë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, por me shumë nerv dhe emocione.

Në fraksionin e dytë erdhi momenti që ndryshoi rrjedhën e sfidës. Elbasani fitoi një penallti, por tentativa e parë e Ze Gomes u ndal nga portieri Qirko. Megjithatë, pas ndërhyrjes së arbitrit, 11-metërshi u përsërit për shkak të lëvizjes së portierit nga vija. Në provën e dytë, Ze Gomes nuk gaboi, duke kaluar verdheblutë në avantazh.
Edhe pse me një lojtar më pak, Elbasani u shfaq më kërkues dhe më i rrezikshëm, ndërsa Partizani dukej i çorientuar dhe pa ide. Të kuqtë patën një mundësi të artë për barazim, por fati nuk ishte me ta, pasi topi u ndal në traversë.
Dhe siç ndodh shpesh në futboll, gabimet ndëshkohen menjëherë. Tsague shënoi golin e dytë për Elbasanin, duke “vrarë” shpresat e Partizanit, ndërsa në minutat shtesë Kasa vulosi gjithçka me golin e tretë, duke kthyer fitoren në një triumf të pastër dhe bindës.
Me këtë sukses të madh, Elbasani ngjitet në vendin e dytë me 56 pikë dhe konfirmon ambiciet e tij, ndërsa Partizani zhgënjen sërish, duke mbetur jashtë zonës “playoff” me 44 pikë, në një moment kritik të sezonit.

