XHYRË-LIBRAZHD , 28 gusht 2026/Albania Express News/-Situata vijon të mbetet tepër problematike në zonën midis fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv pyjor me akacie dhe shkurre dhe po përhapet me shpejtësi.
Zjarri, i cili ka nisur që prej mesditës, ka marrë përmasa të konsiderueshme për shkak të terrenit të vështirë dhe bimësisë së thatë, ndërsa flakët janë përhapur në disa drejtime duke krijuar një situatë serioze për zonat e banuara.
Rreziku është bërë veçanërisht i madh në lagjen pranë ish-stacionit të trenit në Xhyrë, ku flakët janë afruar ndjeshëm me banesat. Për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të shmangur rrezikun e përfshirjes së shtëpive nga flakët, po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter.
Ndërhyrja ajrore po kryhet paralelisht me operacionin në tokë, ndërsa dhjetëra forca dhe mjete zjarrfikëse janë angazhuar në përpjekje për të izoluar vatrat dhe për të mbrojtur banesat.
Në operacion janë mobilizuar forca të MZSH-së dhe mjete zjarrfikëse nga Librazhdi, Prrenjasi, Elbasani, Gramshi dhe Cërriku, të cilat po punojnë me intensitet maksimal në disa pika të frontit të zjarrit.
Pavarësisht mobilizimit të madh dhe ndërhyrjes intensive nga toka dhe ajri, situata mbetet tepër problematike. Terreni i vështirë, sipërfaqet e mëdha të përfshira nga flakët dhe bimësia e thatë po favorizojnë përhapjen e zjarrit, duke e bërë të vështirë izolimin e plotë të tij.
Një tjetër faktor shqetësues është afërsia e flakëve me rrugën kombëtare Librazhd-Prrenjas, çka e rrit më tej rrezikun dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm të situatës.
Forcat në terren po përqendrojnë ndërhyrjen në pikat më kritike, me synim frenimin e avancimit të flakëve drejt banesave dhe izolimin e vatrave aktive.
Operacioni vijon pa ndërprerje, ndërsa ndërhyrja me helikopter nga ajri është kthyer në një element të rëndësishëm të përpjekjeve për të mbrojtur banesat në lagjen pranë ish-stacionit të trenit në Xhyrë.

