Reforma territoriale: transparenca e kritereve dhe interesi publik

Nga Ernelinda Meksi

TIRANË ,03gusht 2026/Albania Express News/-Debati mbi reformën territoriale është një mundësi për vlerësimin serioz të funksionimit të qeverisjes vendore, më shumë se një dekadë pas reformës administrative të vitit 2015. Çdo rishikim i organizimit territorial duhet të udhëhiqet nga analiza objektive dhe interesi publik dhe jo nga dinamika politike e momentit.

Pak është folur për vlerësimin e rezultateve të reformës ekzistuese. Konkretisht: A është përmirësuar cilësia e shërbimeve publike? A janë përdorur burimet financiare me më shumë eficiencë? A është rritur kapaciteti administrativ i njësive vendore? A kanë përfituar në mënyrë të barabartë zonat rurale dhe ish-komunat? Këto pyetje kërkojnë përgjigje të mbështetura në tregues të matshëm të performancës dhe analiza ekonomike, jo në perceptime apo qëndrime politike.

Qartësi kërkon edhe lidhja që i bëhet reformës territoriale me procesin e integrimit europian. Bashkimi Evropian nuk imponon modele të organizimit administrativ dhe nuk përcakton numrin apo kufijtë e bashkive. Organizimi territorial është një kompetencë sovrane e shtetit shqiptar.

Ajo që kërkon Bashkimi Evropian është një administratë publike funksionale, qeverisje vendore efikase, transparencë fiskale dhe institucione me kapacitet për t’u shërbyer qytetarëve. Nëse një analizë serioze ekonomike, demografike dhe institucionale arrin në përfundimin se këto objektiva realizohen më mirë përmes një riorganizimi territorial, atëherë reforma është në funksion të standardeve evropiane, jo një hartë e diktuar nga Bashkimi Evropian.

Transparenca e kritereve është shumë e rëndësishme Çdo propozim për ruajtjen, bashkimin apo riorganizimin e një njësie vendore duhet mbështetur në analiza ekonomike, demografike dhe funksionale të bëra publike. Vetëm kështu garantohet vendimmarrje e bazuar në fakte dhe jo në perceptime apo interesa të momentit. Në një reformë territoriale, kriteret duhet të jenë të njëjta, të matshme dhe transparente për çdo njësi vendore.

Po ashtu është edhe zëri i komuniteteve që preken nga reforma. Konsultimi publik nuk është formalitet, por një proces real, ku qytetarët, ekspertët, pushteti vendor dhe grupet e interesit të kenë mundësi të paraqesin argumentet dhe shqetësimet e tyre. Reforma territoriale fiton legjitimitet jo vetëm nga cilësia e analizës , por edhe nga transparenca e procesit si dhe përfshirja e publikut në vendimmarrje.

Një dekadë pas reformës së vitit 2015, çdo propozim për riorganizimin territorial duhet të mbështetet në një vlerësim të matshëm të rezultateve. Pyetja thelbësore nuk është sa bashki duhet të ketë Shqipëria, por nëse organizimi i ri do të sjellë më shumë infrastrukturë, shërbime më cilësore, administratë më efikase, financa vendore më të qëndrueshme dhe zhvillim më të balancuar të territorit. Këto janë treguesit mbi të cilët duhet të gjykohet suksesi i çdo reforme.

Referimi te Bashkimi Evropian nuk duhet përdorur për të mbyllur debatin, por për ta orientuar atë drejt analizës mbi fakte dhe përgjegjësisë institucionale.
Legjitimiteti i çdo reforme nuk buron nga pretendimi se “e kërkon Europa”, por nga aftësia e saj për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ekipi i notit i Klubit Shumësportësh Elbasani shkëlqen në Durrës, 10 sportistët rikthehen me medalje nga “Agron Ismailati 2026”

ELBASAN ,03 gusht 2026/Albania Express News/-Një paraqitje mbresëlënëse nga...

Xhamia e Muradies thesar i trashëgimisë kulturore në Vlorë do të restaurohet

VLORË ,03gusht 2026/Albania Express News/-Ministria e Turizmit, Kulturës dhe...

Jo vetëm Uellsi, edhe Anglia i tërheq mbështetjen Gianni Infantinos. Presioni ndaj presidentit të FIFA-s arrin kulmin

BOTA ,03gusht 2026/Albania Express News/-Kriza në FIFA po thellohet....