Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar me shqetësim të thellë pas sulmit publik ndaj gazetarit Osman Stafa, i cili u publikua në portalin CNA, pas një pyetjeje që ai drejtoi gjatë një konference për shtyp në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në reagimin e tij zyrtar, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë thekson se pyetjet e gazetarëve në konferencat për shtyp janë një element thelbësor i ushtrimit të profesionit dhe një instrument i domosdoshëm për transparencë dhe llogaridhënie publike. Sipas AGSH, gazetarët kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin profesional të adresojnë shqetësime që lidhen me interesin publik, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor.
Organizata e gazetarëve shpreh se etiketimi i një pyetjeje gazetarie si “fake news”, “lajm i porositur”, apo përdorimi i gjuhës denigruese ndaj një gazetari është i papranueshëm dhe përbën një përpjekje për të delegjitimuar rolin e medias në shoqëri.
“Asociacioni i Gazetarëve thekson se gazetari nuk është ai që gjykon, por ai që pyet, verifikon dhe kërkon përgjigje nga institucionet publike. Në një shoqëri demokratike, institucionet duhet të jenë të gatshme të përballen me pyetje kritike dhe jo të inkurajojnë stigmatizimin e gazetarëve që i bëjnë ato”, thuhet në reagim.
Më tej, AGSH nënvizon se sulmet personale ndaj gazetarëve, sidomos kur shoqërohen me etiketime fyese dhe gjuhë denigruese, krijojnë një klimë presioni ndaj profesionit dhe dëmtojnë standardet e debatit publik.
Në përfundim të reagimit të saj, organizata u bën thirrje mediave dhe aktorëve publikë të tregojnë përgjegjësi në gjuhën dhe qasjen ndaj gazetarëve, duke respektuar rolin e tyre në informimin e publikut.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë thekson gjithashtu se do të vijojë të qëndrojë në mbrojtje të çdo gazetari që përballet me sulme apo presion për shkak të ushtrimit të detyrës së tij profesionale, duke mbrojtur kështu lirinë e medias dhe standardet e gazetarisë në vend.

