TIRANË , 9 nëntor 2026/Albania Express News/-Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 39 deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin shfuqizimin e pjesëve të dy dekreteve të Presidentit të Republikës që lidhen me ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale të inteligjencës artificiale “Diella”.
Vendimi është marrë më 8 tetor 2026 dhe është shpallur më 9 nëntor. Në vendimin e zbardhur, Gjykata argumenton se dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ dhe se kërkuesit nuk legjitimohen për të ngritur një mosmarrëveshje kompetencash. Për këtë arsye, Gjykata nuk ka shqyrtuar në themel pretendimet për papajtueshmërinë e dekreteve me Kushtetutën.
Kërkesa ishte paraqitur nga 39 deputetë, të përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe avokati Marash Logu. Ata kundërshtuan nenin 2 të dekretit nr. 331, datë 12 shtator 2025, për emërimin e Kryeministrit, si dhe një pjesë të dekretit nr. 333, datë 15 shtator 2025, për emërimin e Këshillit të Ministrave.
Në të dyja dekretet përcaktohej se Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të inteligjencës artificiale “Diella”.
Deputetët pretenduan se Presidenti kishte tejkaluar kompetencat kushtetuese, duke krijuar një strukturë të re ministrore dhe duke i ngarkuar Kryeministrit përgjegjësi të reja.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se dispozitat e kundërshtuara nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme juridike për krijimin e kompetencave apo strukturave të reja.
“Nuk rezulton se ai përbën, në vetvete, bazë juridike autonome dhe të mjaftueshme për krijimin e kompetencave, detyrimeve ose strukturave të reja. Veprimet ose aktet e mëtejshme duhet të gjejnë mbështetjen e tyre në burimin juridik të kompetencës së organit që i ndërmerr”, thuhet në paragrafin 29 të vendimit.
Gjykata ndalet edhe te statusi i “Diellës”, duke konstatuar se nga dekretet presidenciale nuk rezulton që ajo të jetë emëruar anëtare e Këshillit të Ministrave.
“Gjykata konstaton se nga përmbajtja e dekreteve nuk rezulton se ‘Diella’ është emëruar si anëtare e Këshillit të Ministrave ose si funksionare e një organi të parashikuar në Kushtetutë”, thuhet në paragrafin 41.
Më tej, në paragrafin 43, Gjykata e cilëson “Diellën” si një platformë të inteligjencës artificiale, e cila nuk përfaqëson një person fizik real me zotësi juridike dhe nuk gëzon karakteristikat e një ministrie.
Një pjesë e arsyetimit i kushtohet edhe kufijve të përdorimit të inteligjencës artificiale në ushtrimin e pushtetit publik.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave publike, të përgjegjësisë dhe të llogaridhënies. Kompetenca publike buron nga Kushtetuta dhe ligji, dhe i përket organit ose funksionarit të cilit rendi juridik ia ka atribuuar atë. Përdorimi i një mjeti teknologjik nuk mund të krijojë, zgjerojë, transferojë ose zëvendësojë këtë kompetencë”, thekson Gjykata në paragrafin 16.
Sipas vendimit, përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia për ushtrimin e kompetencave mbeten te organi ose funksionari të cilit ligji ia njeh ato.
Në përfundim, Gjykata argumenton se çështja nuk përfshihet në kompetencën e saj për kontrollin e akteve normative apo për verifikimin e emërimit të funksionarëve kushtetues. Ndërsa për pretendimin që lidhet me konfliktin e kompetencave, 39 deputetët nuk legjitimohen për ta vënë Gjykatën në lëvizje.
“Në këto rrethana, nuk ka vend për shqyrtimin në themel të pretendimeve të kërkuesit”, thuhet në paragrafin 45.
Vendimi është marrë me shumicë votash. Dy gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi kanë mbajtur qëndrim në pakicë, duke vlerësuar se çështja duhej të shqyrtohej në themel dhe se dispozitat e kundërshtuara binin ndesh me Kushtetutën.
Sipas tyre, një sistem i inteligjencës artificiale nuk mund të ushtrojë funksionin kushtetues të ministrit, pasi ky funksion kërkon një person fizik që mban përgjegjësi për vendimmarrjen.
Në mendimin e pakicës, dy gjyqtarët kundërshtojnë edhe argumentin se paraqitja e “Diellës” si ministre është thjesht çështje imazhi dhe zgjedhje politike.
“Kjo ‘shfaqje për një ministër që nuk ekziston’ bie ndesh edhe me kuadrin ligjor që rregullon organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, përfshirë Këshillin e Ministrave”, thuhet në mendimin e pakicës.
Pavarësisht këtij qëndrimi, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

