TIRANË, 29 korrik 2026/Albania Express News/- Protesta për investimin e planifikuar në Zvërnec hyri sot në ditën e gjashtëdhjetë ndërsa aktivistë e qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.
Me pankarta dhe parulla, protestuesit kanë disa kërkesa politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.
Kërkesat e tyre vijojnë të mbeten të njëjta, duke kërkuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen, ndërsa rrëfeu edhe një takim me një nënë në Lushnjë, e cila i kërkoi të mos e ndalin protestën derisa djali i saj emigrant të kthehej në Shqipëri.
Një i moshuar apeloi për reagim nga intelektualët, pedagogët, mësuesit dhe shoqëria civile, duke kërkuar që të mos heshtin përballë situatës politike në vend.
Protestues të tjerë bënë thirrje për të mos u larguar nga sheshi derisa kryeministri Rama të japë dorëheqjen. Ata u shprehën për qëndresë duke deklaruar se qytetarët shqiptarë kanë vrarë frikën.
Në protestë foli edhe aktori Mehdi Malkaj i cili nuk e cilësoi të besueshëm dokumentin e propozuar nga Kryeministri Rama të titulluar “Besa”. Sipas tij, Rama është ish-kryeministër ndërsa bëri thirrje që protestat të vazhdojnë.
Protesta pas fjalimeve të qytetarëve dhe aktivistëve u mbyll me marshimin në bulevard.


