Presidenti i Republikës reagon për protestat: Dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë

TIRANË, 14 tetor 2026 /Albania Express News/ – Presidenti i Republikës ka reaguar përmes një mesazhi publik lidhur me përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në vend, duke u bërë thirrje të gjitha palëve për përgjegjësi, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit.

Kreu i Shtetit shprehet i shqetësuar për situatën e krijuar, ndërsa thekson se e drejta për protestë paqësore është një nga themelet e demokracisë dhe se shteti ka detyrimin ta garantojë atë.

Presidenti nënvizon se dhuna nuk mund të jetë mjet për të shprehur pakënaqësinë, ndërsa thekson se edhe përdorimi i forcës nga Policia duhet të jetë brenda kufijve të ligjit dhe parimit të proporcionalitetit.

Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit apelon për më shumë përgjegjësi në këtë moment të tensionuar, duke theksuar se Kushtetuta dhe ligji duhet të jenë kufiri që duhet të respektojnë të gjithë, pa përjashtim.

Njëkohësisht, Presidenti shpreh gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, duke e konsideruar dialogun një mundësi të rëndësishme për adresimin e problematikave dhe kontributin në të mirën e vendit.

Ai siguron se zyra e Presidentit do të mbetet e hapur për të rinjtë dhe çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të ardhmen e Shqipërisë.

Deklarata e Presidentit të Republikës:

“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.

E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.

Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.

Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME