Nga Nertil Jole
TIRANË ,07 shtator 2026 /Albania Express News/-Nisma dhe porosia e Kryeministrit Rama që përfaqësuesit e Partisë Socialiste në të gjithë territorin të zhvillojnë takime të rregullta javore me komunitetet, është një normalitet që duhet të jetë i detyrueshëm për çdo të zgjedhur apo funksionar publik.
Madje, kjo traditë demokratike duhej të kishte qenë normë e zbatuar që në krye të herës, prej vetë atyre.
Edhe pse është udhëzuar që këto takime të mos zhvillohen në prani të kamerave, është interesant fakti që në qarkun e Korçës, sikur për të evidentuar pikërisht mungesën sistematike të deritanishme, kamerat fiksuan “praninë besnike” të ndonjë të zgjedhuri që në ditën e parë të kësaj nisme.
Në fakt, takimi me qytetarin nuk duhet të shihet si një risi politike dhe as si një detyrim i imponuar nga lart. Ai është pjesë e vetë funksionit publik.
Të dëgjosh njerëzit, të kuptosh shqetësimet e tyre dhe t’u qëndrosh pranë nuk është vetëm detyrë e zyrtarit publik, por edhe një prej dimensioneve më të rëndësishme të këtij shërbimi.
Për mua, përvoja më e bukur e shërbimit publik kanë qenë pikërisht takimet me qytetarët. Sepse, përtej dëshirës për të zgjidhur problemin apo kërkesën konkrete që sjell secili prej tyre, besoj se pikërisht aty ndërtohet ajo që në politikë është e vështirë të fitohet dhe shumë e lehtë të humbasë: besimi.
Dhe kur besimi ndërtohet, ai mund të jetë afatgjatë. Nuk i përket vetëm kohës së marrëdhënies zyrtare me qytetarin, por vazhdon edhe përtej saj. Nga ajo marrëdhënie mbeten energjia pozitive dhe respekti i ndërsjellë.
Kujtoj një zotëri në moshë të thyer, i cili më trokiti në zyrë gjatë një prej takimeve të rregullta të mesjavës. Ishte një burrë i kthjellët, me një pamje që nuk ta tregonte moshën.
Më pyeti nëse kisha kohë të mjaftueshme për t’i dëgjuar disa shqetësime.
I thashë: “Patjetër që po”.
Tregimi i tij zgjati rreth 15 minuta. Në fund, i premtova se do të angazhohesha për ta ndihmuar.
Por papritur më dha një përgjigje që më befasoi. Dukej sikur kishte ndryshuar mendim dhe më tha se nuk do të më trokiste më në zyrë.
E pyeta:
“Pse?”
M’u përgjigj:
“Sepse më dëgjove me shumë vëmendje, duke më parë në sy, dhe kaq më mjafton.”
Doli nga zyra dhe fjalët e tij më mbetën gjatë në mendje.
Nuk është ky ndonjë shembull i jashtëzakonshëm që më jep mua ndonjë meritë të veçantë. Është thjesht një prej atyre momenteve domethënëse që më forcuan bindjen për rëndësinë e kohës cilësore dhe të mënyrës se si i dëgjojmë qytetarët, të cilëve kemi detyrimin t’u shërbejmë.
Qytetari nuk kërkon gjithmonë një zgjidhje të menjëhershme. Ndonjëherë kërkon vetëm të ndiejë se dikush e dëgjoi. Dhe pikërisht aty nis besimi.
Besimi nuk krijohet nga numri i takimeve dhe as nga prania në një sallë. Ai provohet në kohë. Provohet atëherë kur kamerat nuk janë aty dhe kur takimi nuk është pjesë e një fushate.
Të zgjedhurit nuk duhet të presin vetëm ditën e caktuar të javës për të dëgjuar qytetarët. Ata duhet të jenë pranë tyre vazhdimisht, jo thjesht për “halle” apo probleme konkrete që qytetarët nuk kanë mundur t’i zgjidhin, apo për të cilat nuk kanë marrë përgjigje.
Komunikimi me qytetarët duhet të shërbejë edhe për një dimension tjetër, po aq të rëndësishëm: diskutimin e politikëbërjes dhe të vendimmarrjeve që prekin drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e komuniteteve.
Prej muajsh, për shembull, ka një diskutim që ka ngjallur interes për ndryshimet e pritshme që mund të sjellë reforma territoriale. Për qarkun e Korçës, ky debat është përqendruar kryesisht te bashkimi i mundshëm i bashkive Korçë dhe Maliq.
Por diskutimi është reduktuar kryesisht në aspekte historike dhe emocionale, ndërsa shumë më pak është folur për ekonominë, zhvillimin dhe perspektivën e shërbimeve për të gjithë territorin.
Çuditërisht, vëmendja është përqendruar vetëm te Bashkia e Maliqit. Thuajse asgjë nuk thuhet për Bashkinë e Korçës, e cila është pjesë kryesore e këtij bashkimi të mundshëm.
Asnjë prej të zgjedhurve, madje as drejtuesi politik i qarkut, nuk ka shprehur publikisht mendimin apo argumentet pro dhe kundër që duhet të merren në konsideratë përpara një vendimmarrjeje të tillë.
Ky është një detyrim politik dhe nuk ka nevojë për porosi të veçanta apo për kalendarë të përcaktuar nga Kryeministri.
Disproporcioni mes angazhimit për diskutimin e kësaj teme dhe angazhimit për promovimin e suksesit të “Ditëve të Birrës”, apo të aktiviteteve të tjera të ngjashme, është i papranueshëm.
Ndoshta pikërisht ky është kuptimi i vërtetë i “pranisë besnike”: të mos jesh pranë qytetarëve vetëm kur jepet një porosi, kur e kërkon kalendari apo mandati, por sepse e konsideron atë marrëdhënie një detyrim konstant që vazhdon përtej tyre.
Për të fituar besimin e njerëzve duhet, para së gjithash, të jesh pranë tyre. Jo vetëm fizikisht.
Kur kjo prani nuk varet nga mandatet, kamerat apo porositë, atëherë ajo merr kuptimin e besës.

