LIBRAZHD ,24 qershor 2026/Albania Express News/-Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, ku një automjet i tonazhit të rëndë është përmbysur në vendin e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15, ndërsa trajleri ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe është përmbysur në anë të rrugës. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë prania e baltës dhe gurëve në asfalt, të cilat janë depozituar pas reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë zonën gjatë orëve të fundit.
Kushtet e vështira atmosferike dhe rrëshqitja e materialeve inerte nga shpatet anësore kanë krijuar rrezik për qarkullimin e mjeteve në këtë segment rrugor, i cili njihet për kthesat e shumta dhe terrenin e vështirë.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore dhe grupet e emergjencës, të cilat po punojnë për normalizimin e trafikut dhe largimin e mjetit të aksidentuar. Për shkak të përmbysjes së trajlerit, lëvizja e automjeteve në këtë aks është vështirësuar për një periudhë kohe, duke krijuar radhë të gjata mjetesh në të dy drejtimet.
Fatmirësisht, sipas të dhënave paraprake, nuk raportohen persona të lënduar rëndë, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit po hetohen nga autoritetet kompetente.
Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në akset rrugore të qarkut, pasi reshjet e dendura të shiut kanë sjellë prezencë balte, gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa segmente, duke rritur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

